FLASH :

Makina “fluturon” në çatinë e magazinës në Gjermani, plagosen rëndë tre persona

Një aksident spektakolar dhe tronditës ka ndodhur në qytetin Bohmte në veriperëndim të Gjermanisë, ku një makinë humbi kontrollin, goditi një fëmijë 7-vjeçar në një trampolinë dhe përfundoi në çatinë e një magazine rreth 3 metra mbi tokë. Ngjarja e pazakontë ndodhi të dielën dhe ka lënë të plagosur rëndë tre persona, përfshirë fëmijën.

Sipas deklaratës së policisë, automjeti fillimisht është përplasur me një makinë të parkuar, ka kaluar përmes një gardhi dhe ka hyrë në një kopsht familjar ku ka goditur fëmijën që po luante në trampolinë. Më pas, makina ka kaluar mbi një terren të pabarabartë dhe është katapultuar në ajër, duke u përplasur me forcë në çatinë e një magazine fqinje, rreth 3 metra lart nga toka.

Shoferi i makinës, një burrë 42-vjeçar, dhe bashkëshortja e tij kanë mbetur të plagosur rëndë. Në automjet ndodheshin gjithashtu dy djemtë e tyre, të moshës 11 dhe 12 vjeç, si dhe një pasagjer tjetër 13-vjeçar. Fatmirësisht, tre fëmijët pësuan vetëm lëndime të lehta.

Në vendngjarje u angazhuan dhjetëra zjarrfikës, rreth një duzinë autoambulanca dhe dy helikopterë të emergjencës. Pamjet nga skena e ngjarjes tregojnë ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit që prisnin çatinë për të nxjerrë të plagosurit, ndërsa në oborr shiheshin mbeturinat e lodrave dhe trampolinës së shkatërruar nga përplasja.

Mjeti është hequr nga çatia me ndihmën e një vinçi dhe është sekuestruar nga policia. Autoritetet kanë nisur një hetim për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti të pazakontë.