Një turiste britanike ka ironizuar se duket sikur ka prenotuar një udhëtim në Mynih dhe jo në Spanjën me diell, pasi zbuloi se zona ku qëndronte në Majorka ishte “mbushur” me turistë gjermanë.
Tara Davies, 25 vjeçe, udhëtoi më 23 qershor drejt El Arenal bashkë me kushërirën e saj, duke pritur të përjetonte një atmosferë tipike spanjolle. Por, në vend të flamengos dhe festave tradicionale, ajo u përball me një festë birre me muzikë teknosh, stenda me bratwurst, grupe tifozësh futbolli dhe menu pothuajse vetëm në gjermanisht.

“Ishte pak tronditje kur mbërritëm ditën e parë. E dinim që kishte shumë gjermanë, por nuk e prisnim që do kishim prenotuar pushime në Mynih,” tha Tara, e cila punon si konsulente PR në Londrën Jugore.
Ajo pranoi se kishte lexuar që zona ishte e preferuar nga gjermanët, por nuk e kishte kuptuar shkallën e këtij dominimi. “Të gjitha shenjat, ndalesat e autobusëve, reklamat për baret – janë në gjermanisht. Menuja e restoranteve është fillimisht në gjermanisht, pastaj spanjisht, dhe anglisht vetëm nëse ka.”

Tara shton me humor se edhe shitësit ambulantë apo promotorët e klubeve u flisnin direkt në gjermanisht. “Është qesharake. Nuk bëmë shumë kërkim më parë, por kjo është thjesht pjesë e udhëtimit.”
Edhe pse kishte mundësi të merrte bratwurst në çdo cep, ajo thekson se kanë provuar ushqime të ndryshme, përfshirë tapas dhe sangria. “Nuk kemi shkuar deri aty sa të hamë bratwurst,” tha ajo duke qeshur.

Sipas saj, 90% e muzikës në baret e mëdha ishte gjermane, ndërsa restorantet kishin një përzierje me spanjisht dhe anglisht. Birra gjermane ishte gjithmonë në menu, ndërsa birra spanjolle ishte e vështirë për t’u gjetur.
Megjithatë, Tara e ka marrë me sportivitet situatën: “Ishim thjesht duke qeshur, ishte si një mini-udhetim në Gjermani. Kam qenë në Berlin dhe më ka pëlqyer, por s’prisja të kthehesha kaq shpejt.”

Pavarësisht befasisë, ajo tha se udhëtimi ka qenë i këndshëm dhe se turistët gjermanë ishin shumë më të sjellshëm se ata britanikë: “Të gjithë duken të lumtur, kanë një atmosferë të mirë. Janë shumë më miqësorë.”
Reagimet online kanë qenë të ndryshme: dikush e quajti situatën “ferr në tokë”, ndërsa të tjerë e përgëzuan për humorin dhe shtuan se “birra dhe ushqimi gjerman – ç’të mos të pëlqejë?”. Një komentues tjetër u shpreh thjesht: “Kjo është vërtet e trishtueshme.”