Presidenti francez Emmanuel Macron tërhoqi vëmendjen gjatë samitit për paqen në Ukrainë në Shtëpinë e Bardhë, por këtë herë jo për qëndrimet diplomatike. Mediat dhe rrjetet sociale u ndezën nga pamja e tij një nxirje e theksuar, që shumë e krahasuan me ngjyrën e famshme portokalli të Donald Trump, dhe një look i freskët që vinte direkt nga pushimet e tij luksoze në jug të Francës.
Disa ditë më parë, Macron u fotografua duke lundruar me jet ski në Mesdhe, duke ekspozuar bicepsët dhe më pas u shfaq topless në një jaht pranë Fort de Brégançon, me barkun e tonifikuar dhe veshur vetëm me rroba banje të zeza, në shoqërinë e bashkëshortes Brigitte dhe miqve të tyre.
Në samitin e Uashingtonit, krahas nxirjes, u vu re edhe stili i flokëve të Macron një kombinim ngjyrash kafe dhe gri që mbulonte rrallimet në pjesën e sipërme, duke shtuar komentet mbi përkujdesjen e imazhit të Presidentit.
Kjo nuk është hera e parë që Macron tërheq vëmendjen për pamjen. Vitin e kaluar, ai u kritikua pas publikimit të disa fotove bardhë e zi në një palestër boksi, ku përpiqej të portretizohej si “njeriu i fortë i Europës” përballë Vladimir Putinit një përpjekje që shumë e krahasuan me stilin propagandistik të vetë liderit rus.
Ndërkohë, Donald Trump nuk ngurroi të lavdëronte Macron gjatë mbledhjes në Shtëpinë e Bardhë, duke e quajtur “një nga të parët që takova dhe më pëlqeu që në fillim”. Ai shtoi: “Më pëlqen edhe më shumë tani dhe kjo është e rrallë.”
Megjithëse në të kaluarën raportet mes tyre kanë qenë të tensionuara përfshirë një përplasje verbale pas samitit të G7 në vitin 2018 duket se për momentin, Trump dhe Macron ndajnë jo vetëm qëndrime më të moderuara, por edhe një pamje me ngjyrë të ngjashme të lëkurës dhe stil të kuruar në detaj.