FLASH :

“Lulet nga varri”: Dhimbja e nuses pas vetëvrasjes së burrit një ditë pas muajit të mjaltit

E kishte quajtur “muajin e mjaltit perfekt”. Por vetëm një ditë pasi ishte kthyer nga pushimet në bregdet me burrin e saj të sapomartuar, Isabel Coles përjetoi makthin që do ta shoqërojë gjithë jetën: bashkëshorti i saj, Christopher, një ish-ushtarak 28-vjeçar, vrau veten në pyll. Më tronditëse akoma, muaj më vonë, ajo mori një buqetë me lule që ai kishte porositur për të, për Ditën e Shën Valentinit.

Nga jashtë, historia e Isabel dhe Christopher Coles dukej si një përrallë moderne. Ata u njohën përmes një aplikacioni takimesh dhe brenda një viti e gjysmë, u martuan në një ceremoni të thjeshtë në shtator 2024. Për muajin e mjaltit, zgjodhën një festival muzikor në Asbury Park, në bregdetin e New Jersey-t – një zgjedhje simbolike, pasi muzika kishte qenë një element që i kishte lidhur gjithmonë.

“Isim shumë të lumtur, të dashuruar çmendurisht. Ishte perfekte,” rrëfen Isabel. Por gjithçka ndryshoi sapo u kthyen në shtëpi. Christopher, që ishte kthyer nga një mision ushtarak në fund të gushtit dhe pritej të nisej sërish në tetor, nisi të sillte çuditshëm. Mëngjesin pas kthimit, ai po paloste rrobat si zakonisht, por refuzonte të fliste. Pak më vonë, mori armën dhe u drejtua për në pyll. Trupi i tij u gjet nga i ati një ditë më vonë.

E pa paralajmëruar, e papërgatitur dhe e shkatërruar, Isabel nuk kuptonte çfarë kishte ndodhur. Ai nuk kishte dhënë asnjë shenjë. “Ishte i suksesshëm, i motivuar, gjithmonë i përkushtuar. Njerëzit më thoshin se na kishin zili. Por tani pyes veten: a ishin aty shenjat dhe nuk i pashë?”

Më e dhimbshmja ndodhi muaj më vonë, në Shën Valentin. Në derën e saj mbërriti një buqetë me lule nga Christopher – të porositura që në shtator, përpara se ai të nisej me ushtrinë. “Kur pashë emrin e tij, u shokova. U ndjeva sikur më foli nga përtej.”

Historia e saj është kthyer në virale, me miliona njerëz që e ndjekin rrëfimin e saj emocional në rrjet. Por nuk kanë munguar as kritikat. Disa e kanë fajësuar Isabelin për vdekjen e burrit, një ngarkesë që ajo e përballon me vështirësi. “Nuk ishim të palumtur. Por ai luftonte me demonët e tij dhe askush nuk e dinte,” thotë ajo.

Për ta kthyer dhimbjen në një qëllim, Isabel është zotuar të vrapojë në Maratonën e Çikagos në tetor 2025, për të mbështetur Fondacionin Amerikan për Parandalimin e Vetëvrasjeve. “Njerëzit kërkojnë gjithmonë një arsye. Por ndonjëherë, edhe kur çdo gjë duket perfekte, dhimbja është e fshehur mirë,” përfundon ajo.