Biznesmeni Lul Morina është justifikuar më shumë sesa ka pranuar fajin, duke e quajtur “absurdë” gazetarët dhe duke arsyetuar dhunën e ushtruar ndaj një gazetari me pretendimin se ai “i kishte përbaltur figurën”. Nëse kjo akuzë rezulton e vërtetë, mënyra e duhur për të reaguar nuk ishte dhuna dhe kërcënimi, por ndjekja e rrugës ligjore përmes gjykatës, e cila është institucioni që vendos nëse një gazetar ka vepruar në të drejtë ose jo.
Në një deklaratë të publikuar faqen e tij të Facebook, Juljan Morina ka shprehur ndjesë publike për dashamirësit dhe bashkëkombësit për reagimin e tij, të cilin thekson se e ka bërë në një moment irritimi.
Biznesmeni ka theksuar se acarimi ka ardhur për shkak se Almer Toksa të cilin e quan si “pseudogazetar” ka tentuar të përbaltë punën e tij dhe kompanitë që ai drejton.
“Të nderuar bashkombas, miq e dashamirës! Desha t’ju përcjell në respekt tuajin një ndjesë të thellë publike lidhur me një reagim timin të irrituar ndaj një pseudogazetari i cili është munduar të përbaltë punën, mundin, kontributin tim në kompanitë që drejtoj dhe jo vetëm.
Përsos kësaj desha të shpreh indinjatën dhe shqetësimin tim lidhur me disa shkrime te publikuara nga ky pseudogazetar qe shprehet me etiketime dhe aludime fyese të cilat cenojnë rëndë figurën dhe dinjitetin tim.
Kompanitë që unë drejtoj ushtrojnë aktivitetin kryesisht në fushën e Hotelerisë ku disa prej Hoteleve janë bashkëpunime me brande ndërkombëtare. Pjesa tjetër e aktivitet të kompanive është e orientuar në ndërtim të objekteve ku vlen për tu theksuar që nuk kam marrë asnjë tender publik dhe kjo më bën më tepër krenar që nuk kam perfituar 1 Cent nga taksat e këtij vendi.
Indinjata ime e thellë ndaj këtij pseudogazetari e shprehur në atë formë ka qënë pasi ky pseudogazetar ka guxuar të shkruaj po ashtu për gjysmën e Kombit tonë Kosovën. Mirepo ajo që është shumë indikative dhe e pështirë në gjithë këtë histori, është fakti se, ka guxuar te shprehë se “ne Kosovarët jemi gjysem Turq e gjysme Sllavë”.
Eshtë sa irrituese po aq edhe e neveritshme dhe si e tillë kam reaguar në atë formë pasi rrënjët e mija burojnë në Mitrovicë të Kosovës, por jam i lindur dhe i rritur ne qytetin e Fierit. Familja jonë dhe shumë të tjera janë vendosur ne Shqipëri që nga periudha e Isa Boletinit ku kanë kontribuar në ngritjen e Flamurit dhe formimin e Qeverisë së parë Shqiptare, pjesë e së cilës kanë qenë familjarë tanë të cilët kanë kontribuar duke pasur edhe humbje në radhët e tyre.
Pjesë e këtij indijimi ndaj kësaj maskarade të shprehur nga ky pseudogazetar u bëra dhe unë fatkeqësisht, por në respekt tuajin për çfarë po qarkullon ditët e fundit në portale ndieja detyrim për të sqaruar situatën në fjalë. Me respekt Juljan Morina”, shkruan biznesmeni