FLASH :

Luksi i pakufi: Dasma e djalit të liderit çeçen Kadirov shndërrohet në spektakël pasurie dhe provokimi

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar për dasmën luksoze dhe festimet e bujshme të Adam Kadyrovit, djalit 17-vjeçar të udhëheqësit çeçen Ramzan Kadyrov. Ndër të tjera, raportohet se gjatë ceremonisë, Adam Kadyrov ka shtënë me armë në ajër ndërsa drejtonte një makinë të rrallë Mercedes-Benz G-Class, një veprim që ka ngjallur reagime të ndryshme në rrjetet sociale dhe në mediat ndërkombëtare.

Adam Kadyrov u shfaq në festime duke vozitur një Mercedes-Benz G-Class “Stronger Than The 1980s” në ngjyrë Agave Green, një model superluksoz me vetëm 460 njësi të prodhuara në botë. Ky automjet është i ndaluar për eksport në Rusi sipas sanksioneve të BE-së, për shkak të përfshirjes së teknologjive të ndjeshme, por megjithatë u pa në qarkullim në rrugët e fshatit të Kadyrovëve. Çmimi fillestar i këtij modeli shkon rreth 190,000 dollarë.

Në dorën e djathtë, Adam mbante një Jacob & Co. Billionaire Ashoka, një nga orët më të rralla në botë, e zbukuruar me 325 gurë diamanti. Vlera e saj mesatare arrin rreth 7 milionë dollarë, ndërsa versionet më të rralla të kësaj ore kapin shifrën e frikshme prej 27.7 milionë dollarësh.

Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur Adam, nga dritarja e makinës luksoze në lëvizje, qëllon me një pistoletë prej ari në ajër, ndërsa të ftuarit duartrokasin përpara rojeve të armatosura. Ky akt ka ngjallur kritika të ashpra, pasi përdorimi i armëve nga të miturit është i ndaluar me ligj në Rusi, por autoritetet nuk kanë reaguar zyrtarisht.

Në dasmë ishin të pranishëm figura të rëndësishme të politikës dhe biznesit rus, përfshirë zëvendëskryeministrat Denis Manturov dhe Alexander Novak, si dhe përfaqësues nga sporti dhe kultura. Sipas mediave pranë Kremlinit, edhe vetë presidenti Vladimir Putin ka përcjellë urimet e tij personale përmes një mesazhi privat.

Dasma e Adam Kadyrovit nuk ishte thjesht një ngjarje familjare, por një demonstrim i pasurisë, ndikimit dhe pandëshkueshmërisë, që ka shkaktuar reagime brenda dhe jashtë Rusisë. Ndërkohë, pamjet vazhdojnë të qarkullojnë në rrjet, teksa asnjë hetim nuk është hapur për armët, automjetet e ndaluara apo luksin e dyshimtë në një nga rajonet më të varfra të Federatës Ruse.