Mayfair, King’s Road dhe Bond Street janë ndër lagjet më të shtrenjta e të lakmuara në zemër të Londrës, por as etiketa e çmimit të lartë nuk garanton siguri. Krimi po lulëzon në rrugët më elitare të kryeqytetit britanik, ku grabitësit nuk ndalen as para figurave publike apo pasurive marramendëse.
Yje si Jamie Laing nga Made in Chelsea dhe prezantuesja Christine Lampard nga Loose Women janë mes viktimave të fundit. Bandat që veprojnë në këto zona luksoze janë të njohura për mënyrën brutale të veprimit – shkëpusin Rolex-et nga kyçet e kalimtarëve, rrëmbejnë telefonat e shtrenjtë nga duart dhe thyejnë xhamat e makinave për të vjedhur xhaketa si ato të markës Stone Island që kushtojnë mbi 1,000 paund.
Vetëm në muajin shkurt, në West End të Londrës – zonë që përfshin Mayfair-in, Fitzrovian, Oxford Street-in dhe Bond Street-in – u regjistruan 2,097 raste vjedhjesh.
Alarmi është rritur edhe më shumë pasi bashkëshortja e ish-pilotit të Formula 1, Jenson Button, rrëfeu për MailOnline se nuk ndihet më e sigurt në qytet. Një valixhe e mbushur me bizhuteri dhe çanta firmato me vlerë rreth 250 mijë paund iu vodh përpara stacionit St Pancras, ndërsa çifti po ngarkonte makinën me ndihmën e një shoferi. “U ndjeva e pafuqishme. U deshën vetëm pak sekonda që një burrë të grabiste valixhen dhe të zhdukej. Nuk kemi më dëshirë të kthehemi në MB,” tha ajo, duke shtuar se është për të ardhur keq, pasi atje jeton familja e saj.
Edhe Jamie Laing u grabit sërish marsin e kaluar, vetëm një javë pasi shtëpia e tij në Notting Hill u sulmua nga hajdutë të maskuar me kominoshe e balaklava.
Duket se, në Londrën e luksit, askush nuk është i paprekshëm.











