Luis Enrique, trajneri i Paris Saint-Germain, shpreson të mbyllë sezonin historik me trofeun më të lakmuar në Evropë – Ligën e Kampionëve. Por pas këtij suksesi të mundshëm, qëndron një histori e thellë dhimbjeje dhe dashurie familjare: humbja e vajzës së tij të vogël, Xana, në vitin 2019, pas një beteje të rëndë me kancerin.
“Xana nuk do të jetë fizikisht aty, por ajo do të jetë… në mënyrë shpirtërore”, tha Enrique në një konferencë për shtyp më herët këtë vit. “Ajo e donte festën. Kam një foto të pabesueshme të saj në finalen e Berlinit, pas fitores me Barcelonën, duke vendosur flamurin në fushë. Kam dëshirë të bëj të njëjtën gjë me PSG-në.”
Enrique, i cili e ka fituar tashmë një herë Champions-in me Barcelonën në 2015, është në kërkim të triumfit të dytë – këtë herë me një skuadër të rindërtuar pa yllin Kylian Mbappé, por me një brez të ri të talentuar që ai vetë ka formuar.
Nëse fiton kundër Interit këtë të shtunë, Enrique do të bëhej vetëm trajneri i dytë në histori, pas Pep Guardiolës, që fiton dy trefishta evropianë me dy klube të ndryshme.
Por pavarësisht suksesit profesional, është humbja e vajzës që ka lënë gjurmën më të thellë në jetën e tij. Xana ndërroi jetë në moshën 9-vjeçare, vetëm pak muaj pasi Enrique ishte tërhequr nga detyra e trajnerit të Spanjës për të qenë pranë familjes.
“Ti do të jesh ylli që udhëheq familjen tonë,” shkroi ai në atë kohë.
Në një dokumentar të fundit në Movistar+, Enrique rrëfeu: “Xana është gjallë. Nuk është këtu fizikisht, por në planin shpirtëror është sepse çdo ditë flasim për të, qeshim dhe e kujtojmë. Ndihem një njeri me shumë fat.”
Të shtunën, në finalen e madhe, Enrique do të jetë në stol – por krah tij, në mendje dhe zemër, do të jetë gjithmonë Xana.

