FLASH :

“Lugë kokaine” dhe taksë shkollore? Friedrich Merz nën sulmin e lajmeve të rreme që nga dita e parë si kancelar

Që nga momenti kur Friedrich Merz mori detyrën si kancelar i Gjermanisë, mediat sociale janë vërshuar nga një valë e paprecedentë lajmesh të rreme dhe dezinformatash që synojnë të diskreditojnë figurën e tij dhe politikat e qeverisë së re. Nga gjoja kontrolle të shtëpive për qytetarët me raport mjekësor, deri tek një video ku pretendohet se Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron fshehin kokainë – gjithçka është e fabrikuar.

Sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, që foli për agjencinë DPA, fluksi i postimeve dezinformuese është rritur ndjeshëm krahasuar me periudhën e kaluar legjislative. “Po shohim një kombinim të propagandës, diskreditimit personal dhe lajmeve të rreme në rritje të vazhdueshme,” theksoi ai.

Nga thashethemet për drogë te videot e manipuluara

Një nga rastet më të përhapura ishte një video që pretendonte se gjatë një vizite në Kiev, Macron mori një qese me kokainë nga tavolina, ndërsa Merz thuhet se fshehu një lugë për përdorim droge. Videoja u shpërnda masivisht në rrjetet sociale, por analizat me rezolucion të lartë dhe një reagim zyrtar nga Pallati Élysée zbuluan të vërtetën: objekti i dyshuar ishte thjesht një facoletë, ndërsa “luga” përpara Merz ishte në fakt një pirun i vogël për meze.

Gjithashtu, një tjetër video e manipuluar e tregonte Merz duke reklamuar produkte financiare të dyshimta, me imitim të dizajnit të një gazete të përditshme – por as teksti, as videoja nuk kanë ekzistuar ndonjëherë në burimin e pretenduar.

Çfarë qëndron pas këtij fushate?

Sipas Institutit për Dialog Strategjik (ISD), dezinformatat ndaj Merz kanë nisur që pas rënies së koalicionit të mëparshëm SPD-Të Gjelbër-Liberalë në fund të vitit të kaluar. Analisti Pablo Maristany de las Casas nga ISD thotë se autorët e mundshëm të kësaj fushate janë aktorë të lidhur me Kremlinin dhe rrjete të ekstremit të djathtë.

“Mbështetja e fortë e Merz për Ukrainën dhe kërkesat për më shumë ndihmë financiare janë parë si kërcënim nga Moska,” shpjegon ai, ndërsa thekson se figura e tij është gjithashtu një shënjestër për grupimet nacionaliste dhe konspirative në Gjermani.

Dezinformim me pasoja të rrezikshme

Ndër lajmet e rreme që qarkullojnë më shpesh janë: futja e një “takese shkollore”, rritja e orarit javor të punës, ndalime të gjumit të vonë, apo kontrolle në shtëpi për personat me raport shëndetësor. Edhe pse të pabaza, këto lajme shpërndahen masivisht dhe krijojnë reagime emocionale dhe pasiguri tek qytetarët.

Qeveria gjermane është në alarm për përhapjen e dezinformatave dhe po kërkon rritje të ndërgjegjësimit publik dhe verifikim më të fortë të fakteve në media sociale.