FLASH :

Lufta nga Qielli: Dronët Vrasin Mbi 1,000 Civilë në Afrikë

Një raport i ri alarmon për rritjen e numrit të viktimave civile nga sulmet me dron në Afrikë

Në tre vitet e fundit, të paktën 943 civilë janë vrarë në të paktën 50 sulme të ndryshme ajrore me dron në gjashtë vende afrikane, sipas një raporti të Drone Wars UK. Raporti, i titulluar Vdekje në Dorëzim, zbulon se këto sulme shpesh dështojnë të bëjnë dallimin mes civilëve dhe militantëve, duke çuar në një numër të lartë viktimash të pafajshme.

Ekspertët paralajmërojnë se ky numër mund të jetë shumë më i lartë, pasi shumë vende operojnë fushata sekrete me dronë. Me teknologjinë e dronëve që po bëhet gjithnjë e më e avancuar dhe e p në kontinent, shtrohet pyetja: A është koha që bota të vendosë rregullore më të rrepta mbi shitjen dhe përdorimin e tyre?

Pse shtetet afrikane po investojnë në dronë të armatosur?

Raporti thekson se numri i vendeve afrikane që kanë blerë dronë ushtarakë është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Që nga viti 2022, të paktën 10 vende afrikane kanë marrë në zotërim këto armë, duke argumentuar se ato janë të nevojshme për të luftuar grupet rebele dhe kërcënimet e sigurisë.

Megjithatë, realiteti në terren tregon një tjetër pamje. Shumë sulme kanë rezultuar me viktima civile, duke ngritur shqetësime serioze për shkelje të të drejtave të njeriut. Cora Morris, autorja e raportit, thekson se dronët janë prezantuar si një mënyrë “efikase” dhe moderne për të luftuar, por në realitet kanë sjellë pasoja tragjike.

“Dronët e ulin ndjeshëm pragun për përdorimin e forcës, duke e bërë më të lehtë për ushtritë që të hedhin municione pa rrezikuar trupat e tyre,” tha ajo për Al Jazeera. “Rezultati ka qenë një numër i madh viktimash mes civilëve.”

Rritja e përdorimit të dronëve është ndikuar edhe nga ndryshimet gjeopolitike, ku qeveritë afrikane po kërkojnë të bëhen më të pavarura ushtarakisht dhe po gjejnë furnizues që nuk vendosin kushte të rrepta për shitjen e këtyre armëve. Turqia, Kina dhe Irani janë identifikuar si furnizuesit kryesorë të dronëve në Afrikë.

Vendet ku sulmet me dron kanë shkaktuar më shumë viktima

Raporti evidenton gjashtë vende ku përdorimi i dronëve ka pasur ndikimin më shkatërrues:

  • Sudani – Të dyja palët ndërluftuese, ushtria sudaneze dhe grupi paramilitar i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, kanë përdorur dronë, shpesh duke goditur infrastrukturën civile.
  • Somalia – Sulmet me dron kundër al-Shabab kanë shkaktuar një numër alarmues viktimash civile.
  • Nigeria – Qeveria ka përdorur dronë kundër Boko Haram, por një sulm në dhjetor 2023 goditi një turmë civilësh në Kaduna, duke vrarë 85 njerëz.
  • Burkina Faso – Konflikti i përshkallëzuar që nga viti 2015 ka sjellë përdorim në rritje të dronëve nga ushtria burkinabe.
  • Mali – Dronët janë përdorur për të goditur grupet rebele, por kanë rezultuar në shumë viktima civile.
  • Etiopia – Përdorimi i dronëve kundër Frontit Çlirimtar të Popullit të Tigray ka shkaktuar viktima të shumta mes civilëve.

Sulmet më të përgjakshme

Disa nga sulmet me dron që kanë shkaktuar më shumë viktima civile përfshijnë:

  • Nigeria, Dhjetor 2023: Një sulm në Kaduna që synonte militantët përfundoi duke vrarë 85 civilë gjatë një feste fetare.
  • Etiopia, 2022-2023: Një sulm në Oromia vrau 86 persona, ndërsa të tjera sulme pasuan në javët në vijim.
  • Somalia, Mars 2024: Një sulm në Jaffey Farm dhe Bagdad vrau 23 civilë, me qeverinë që mohoi përgjegjësinë.
  • Burkina Faso, Gusht 2023: Një sulm në një treg në Bouro vrau të paktën 28 persona.
  • Sudan, Shtator 2023: Një sulm në tregun Goro në Khartoum vrau 46 njerëz.

A është e nevojshme rregullimi i shitjes së dronëve?

Raporti thekson nevojën urgjente për mbikëqyrjen ë përdorimit të dronëve. Numri i vendeve që përdorin dronë është rritur nga katër në 48 në dekadën e fundit, dhe tendenca duket se do të vazhdojë.

Sipas Morris, “mungesa e hetimeve të plota për viktimat civile tregon një dështim total në mbrojtjen e jetëve të pafajshme.” Ajo thekson se dronët janë normalizuar si armë lufte, me pasoja katastrofike për civilët.

Eksperti Michael Spagat paralajmëron se situata do të përkeqësohet: “Mendoj se përdorimi i dronëve do të rritet ndjeshëm dhe, me kalimin e kohës, edhe grupet jo-shtetërore do të fillojnë t’i përdorin këto teknologji.”

Me numrin në rritje të viktimave dhe mungesën e transparencës nga qeveritë, shumë ekspertë kërkojnë krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar për kontrollin e shpërndarjes dhe përdorimit të dronëve të armatosur, në mënyrë që të shmangen tragjedi të tjera në të ardhmen.

Harta e vrasjeve në Afrikë