Trita Parsi – Foreign Policy
Izraeli ka gjasa të nisë një luftë tjetër me Iranin para dhjetorit — ndoshta që nga fundi i gushtit.
Irani e pret dhe po përgatitet për sulmin. Në luftën e parë ai zgjodhi lojën e gjatë, duke e shpërndarë në kohë përdorimin e raketave, me idenë e një konflikti të zgjatur. Në raundin tjetër, megjithatë, Irani ka gjasa të godasë vendosmërisht që në fillim, për të shuar çdo iluzion se mund të mposhtet nën dominimin ushtarak izraelit.
Si pasojë, lufta e ardhshme ka gjasa të jetë shumë më e përgjakshme se e para. Nëse presidenti amerikan Donald Trump bie sërish nën presionin izraelit dhe i bashkohet luftës, atëherë Shtetet e Bashkuara do të përballeshin me një konflikt të hapur me Iranin që do ta bënte Irakun të dukej i lehtë në krahasim.
Lufta e qershorit dhe objektivat e Izraelit
Lufta e qershorit e Izraelit nuk kishte të bënte vetëm me programin bërthamor iranian. Në fakt, qëllimi ishte ndryshimi i balancës së fuqisë në Lindjen e Mesme, me kapacitetet bërthamore të Iranit si një faktor i rëndësishëm, por jo vendimtar. Prej më shumë se dy dekadash, Izraeli ka shtyrë Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin aksione ushtarake kundër Iranit për ta dobësuar atë dhe për të rivendosur një ekuilibër rajonal më të favorshëm — një ekuilibër që Izraeli nuk mund ta arrijë i vetëm.
Në këtë kontekst, sulmet e Izraelit kishin tre objektiva kryesore përveç dobësimit të infrastrukturës bërthamore iraniane:
- Ta fuste SHBA-në në një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak me Iranin;
- Të “priste kokën” e regjimit iranian;
- Ta kthente Iranin në një Siri apo Liban tjetër — vende që Izraeli mund t’i bombardojë pa pengesa dhe pa përfshirjen e SHBA-së.
Nga këto, vetëm një pjesë u realizua. Trump nuk e “shkuli nga rrënjët” programin bërthamor iranian, as nuk e ktheu atë në një pikë ku çështja të quhej e mbyllur.
Një fitore e pjesshme dhe dilema amerikane
Me sulmet e qershorit, Izraeli arriti maksimumi një fitore të pjesshme. Rezultati i preferuar do të ishte që Trump të angazhohej plotësisht, duke synuar si forcat konvencionale, ashtu edhe infrastrukturën ekonomike të Iranit. Por, megjithëse Trump preferon aksione të shpejta dhe vendimtare, ai druhet nga një luftë e plotë. Strategjia e tij për të goditur objektet bërthamore iraniane ishte dizajnuar për të kufizuar përshkallëzimin dhe jo për ta zgjeruar atë. Përkohësisht ai ia doli — gjë që e zemëroi Izraelin — por në afatgjatë ai u fut në ciklin e përshkallëzimit që Izraeli kishte ngritur për të.
Refuzimi i Trump për të shkuar përtej një fushate të kufizuar bombardimesh ishte arsyeja kryesore që Izraeli pranoi armëpushim. Me vazhdimin e luftës, Izraeli pësoi humbje serioze: mbrojtja ajrore iu degradua dhe Irani arriti të depërtonte më lehtë me raketa. Nëse SHBA-ja do të ishte përfshirë plotësisht, Izraeli do ta kishte vijuar konfliktin, por pa këtë mbështetje kalkulimi ndryshoi.
Objektivat e dështuara të Izraelit
Dy synimet e tjera dështuan plotësisht. Edhe pse Mossadi arriti disa sukseset e hershme — duke vrarë 30 komandantë të lartë dhe 19 shkencëtarë bërthamorë — Irani i zëvendësoi brenda 18 orësh dhe lëshoi një breshëri masive raketash, duke treguar aftësi për të absorbuar humbje të mëdha dhe për të kundërsulmuar fort.
Izraeli shpresonte që këto goditje fillestare do të krijonin panik brenda regjimit iranian dhe do të nxitnin kolapsin e tij. Madje, sipas Washington Post, agjentë të Mossadit i telefonuan zyrtarëve iranianë duke u kërcënuar jetën për t’i bërë të tradhtonin publikisht regjimin. Por asnjë prej tyre nuk pranoi, dhe kohezioni i regjimit mbeti i paprekur.
As vrasja e komandantëve të Gardës Revolucionare nuk çoi në protesta masive. Përkundrazi, iranianët u bashkuan rreth flamurit dhe nacionalizmi u rrit në vend. Izraeli nuk arriti të shfrytëzonte pakënaqësinë popullore ndaj regjimit. Përkundrazi, sulmet forcuan narrativën e Republikës Islamike se mbijetesa e vendit kërkon një mbrojtje të fortë.
Një shans i ri për Iranin dhe kërcënimi i ardhshëm
Izraeli gjithashtu nuk e ktheu Iranin në një Siri të dytë. Edhe pse përkohësisht kontrolloi hapësirën ajrore, nuk veproi dot me imunitet, pasi raketat iraniane i shkaktuan dëme të mëdha. Pa ndihmën masive të SHBA-së — që shfrytëzoi 25% të interceptuesve të saj THAAD brenda vetëm 12 ditësh — Izraeli ndoshta nuk do ta kishte vazhduar luftën.
Kjo e bën një ofensivë të re shumë të mundshme. Si ministri i Mbrojtjes Izrael Katz, ashtu edhe shefi i shtabit Eyal Zamir, e kanë sinjalizuar këtë. Sipas tyre, lufta e qershorit ishte vetëm faza e parë. Izraeli është i vendosur të mos lejojë Iranin të rifitojë arsenalin raketor apo mbrojtjet ajrore.
Pikërisht këtë kërkon ta parandalojë Irani. Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi paralajmëroi në X: “Nëse agresioni përsëritet, do të reagojmë në mënyrë më vendimtare dhe të pamundur për t’u fshehur.”
Rezultati i luftës së ardhshme do të varet nga disa pyetje: A do të mundet Izraeli të rimbushë interceptuesit më shpejt sesa Irani të rindërtojë raketat? A ka ende Mossadi një rrjet të thellë brenda Iranit? Apo e shpenzoi shumicën gjatë luftës së parë? Dhe a ka fituar Irani më shumë njohuri për të depërtuar mbrojtjen izraelite sesa ka fituar Izraeli për ta mbyllur këtë boshllëk?
Trump do të jetë vendimtar në përgjigjen amerikane. Ai duket i pavendosur për të hyrë në një konflikt të gjatë. Politkisht, sulmet e tij krijuan përçarje në lëvizjen MAGA. Ushtarakisht, 12 ditë luftë zbuluan boshllëqe kritike në rezervat amerikane të mbrojtjes ajrore. Ai tashmë është futur në kurthin izraelit dhe ka pak hapësirë për manovër: ose të përfshihet plotësisht, ose të qëndrojë jashtë. Por qëndrimi jashtë kërkon një rezistencë të vazhdueshme ndaj presionit izraelit — diçka që Trump deri tani nuk e ka treguar.