Procesi gjyqësor ndaj Sean “Diddy” Combs po zhvillohet në New York, ndërsa producenti muzikor 55-vjeçar përballet me akuza të rënda federale për trafikim seksual dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me burgim të përjetshëm.
Diddy mohon të gjitha akuzat, ndërsa avokatët e tij kanë pranuar publikisht se ai ka ushtruar dhunë ndaj grave në të kaluarën, por këmbëngulin se ai nuk është fajtor për trafik seksual apo për drejtim të një rrjeti kriminal.
Kid Cudi: “Diddy kishte lidhje me shpërthimin e makinës sime”
Në një moment shokues në sallën e gjyqit, reperi Kid Cudi dëshmoi se makina e tij Porsche shpërtheu në oborrin e shtëpisë në janar 2012 – pak pasi kishte përfunduar lidhja e tij me këngëtaren Cassie, e cila kishte qenë më parë e lidhur me Diddy.
“Në mëngjes, dadoja e qenit më telefonoi dhe më tha: ‘Makina jote është në flakë,’” tha Cudi.
Ai tregoi se çatia e makinës ishte çarë për të futur një koktej molotov, që më pas shkaktoi shpërthimin.
Fotografi të makinës së djegur iu treguan jurisë, përfshirë edhe imazhe të bombës artizanale të përdorur.
Kur u pyet nëse mendonte se Diddy kishte lidhje me incidentin, Cudi u përgjigj:
“E dija që ai kishte dorë në këtë.”
Avokatët e Diddy-t menjëherë kundërshtuan, dhe gjykatësi pranoi kundërshtimin.

Takimi “si në filmat Marvel” dhe tensioni me Cassie
Cudi tregoi se disa ditë pas shpërthimit, u takua me Diddy në Soho House në Hollywood, për të sqaruar situatën:
“Ai qëndronte duke parë nga dritarja, me duart pas shpine – si një armik i filmit Marvel. Ishte shumë e çuditshme.”
Në takim u bashkua më pas edhe Cassie. Cudi tha se në fund të takimit, teksa i shtrëngonin duart, e pyeti Diddy-n:
“Çfarë do të bëjmë për makinën time?” –Diddy u përgjigj me një shikim të ftohtë: “Nuk e di për çfarë po flet.”
Gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja, Cudi pranoi se ndjehej “i luajtur” nga Cassie, pasi ajo ishte rikthyer me Diddy pas lidhjes me të.
Kid Cudi: “Diddy hyri në shtëpinë time pa leje”
Në një tjetër dëshmi tronditëse, Cudi tha se shtëpia e tij u grabit, dhe se e kishte marrë vesh nga asistentja e Diddy-t, Capricorn Clark.
“Ishte shumë e frikësuar, dukej sikur do të shpërthente në lot. Më tha se Diddy dhe disa të tjerë ishin në shtëpinë time dhe ajo ndodhej jashtë, në makinë, e detyruar të shkonte me ta.”
Jurisë iu treguan fotografi të derës së përparme të shtëpisë së Cudit dhe dëmeve të shkaktuara.
Cudi tha se e kishte telefonuar Diddy-n në rrugë e sipër dhe i tha:
“T’i je në shtëpinë time, more i çmendur!”
Diddy i ishte përgjigjur qetë: “Po të pres.”
Pasi mbërriti, Cudi tha se e pyeti pse ishte aty dhe Diddy, përsëri i qetë, i tha:
“Doja të flisnim.”
“Disa dhurata që kisha blerë për familjen ishin hapur,” shtoi ai. “Disa gjëra nga Chanel, qeni im ishte mbyllur në banjo, dhe dhuratat ishin hedhur në kuzhinë.”







