FLASH :

Lini shpallet vendbanimi më i vjetër me palafite në Europë – mbulon 2,000 vite histori

Universiteti i Bernës dhe Instituti i Arkeologjisë kanë konfirmuar se siti arkeologjik i Linit, në brigjet shqiptare të liqenit të Ohrit, është vendbanimi më i vjetër me palafite i dokumentuar deri më sot në Europë. Ky përfundim vjen pas fushatës më të fundit të gërmimeve, ku janë realizuar një sërë zbulimesh të rëndësishme që hedhin dritë mbi një histori që përfshin rreth 2,000 vite banim të vazhdueshëm, nga 6,000 deri në 4,000 para Krishtit.

Sipas arkeologëve, gjatë ekspeditës u hapën llogore të reja tokësore, duke zbuluar një sasi të konsiderueshme shtyllash druri që përbënin bazamentin e shtëpive mbi ujë. Janë gjetur gjithashtu shtresa të rëndësishme qeramike, të zbukuruara me teknikën impreso, një nga format më të hershme të poçarisë në Ballkan. Ky detaj tregon për lidhje të hershme kulturore mes Linit dhe bregdetit të Adriatikut.

Një tjetër zbulim domethënës është identifikimi i një rrethoje të re mbrojtëse, që e çon në pesë numrin e unazave rrethuese të vendbanimit, duke dëshmuar një sistem të avancuar mbrojtjeje. Janë gjetur gjithashtu grumbuj të mëdhenj pishash, që besohet se janë mbetje të një apo më shumë strukturave banimi.

Për herë të parë, studiuesit arritën të përputhin kronologjinë e unazave të pemëve (dendrokronologjia) mes sitit të Linit dhe atij të Ohrit, duke vërtetuar se kjo metodë funksionon edhe për distanca më të gjera, çka hap rrugën për hulumtime të mëtejshme rajonale.

Sipas të dhënave të reja, “Lin 3” përfshin të paktën 10–12 faza të ndryshme banimi, duke konfirmuar se zona ka qenë e banuar në mënyrë të vazhdueshme nga komunitete të organizuara që në fillimet e qytetërimit neolitik në Europë. Ky zbulim i jep Shqipërisë një vend të veçantë në hartën arkeologjike të kontinentit.