FLASH :

Ligj i ri në Itali: burg për abuzimet me ‘deepfakes’ dhe mashtrimet me AI

Italia ka hyrë në histori si vendi i parë i Bashkimit Evropian që miraton një ligj gjithëpërfshirës për Inteligjencën Artificiale, duke vendosur rregulla të qarta dhe dënime të ashpra për abuzimet me teknologjinë.

Sipas legjislacionit të ri, përdorimi i Inteligjencës Artificiale për të prodhuar apo shpërndarë përmbajtje të manipuluar, si “deepfakes”, do të ndëshkohet me burg nga një deri në pesë vjet. Masat bëhen edhe më të rënda nëse teknologjia shfrytëzohet për kryerjen e krimeve si mashtrimi, vjedhja e identitetit apo dëmtimi i reputacionit.

Ligji parashikon gjithashtu rregulla më të forta për transparencën dhe mbikëqyrjen njerëzore në përdorimin e AI në vendet e punës, me synim që teknologjia të mos zëvendësojë apo dëmtojë proceset e drejtësisë sociale.

Kryeministrja Giorgia Meloni e cilësoi këtë hap si vendimtar për të ardhmen e vendit dhe të BE-së. “Qëllimi ynë është një inteligjencë artificiale e përqendruar te njeriu, transparente dhe e sigurt, që ruan privatësinë dhe sigurinë kibernetike, duke nxitur njëkohësisht inovacionin”, u shpreh ajo.

Një element tjetër i rëndësishëm i ligjit është mbrojtja e të miturve: fëmijët nën moshën 14 vjeç nuk do të mund të përdorin inteligjencën artificiale pa miratimin e prindërve.

Ky ligj, i harmonizuar me Aktin e BE-së për Inteligjencën Artificiale, pritet të shërbejë si model për vendet e tjera anëtare, duke e vendosur Italinë në qendër të debatit evropian mbi përdorimin e sigurt dhe etik të teknologjisë.