Në një vizitë të paprecedentë, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer kanë mbërritur së bashku në Kiev, ku janë bashkuar edhe me kryeministrin polak Donald Tusk për bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Udhëtimi i përbashkët, i zhvilluar më 9 maj – Ditën e Evropës – u përshkrua si një akt i fuqishëm solidariteti kundër pushtimit rus.
Në një deklaratë të përbashkët, liderët i bënë thirrje Rusisë të pranojë një armëpushim 30-ditor të plotë dhe të pakushtëzuar, duke theksuar se ky do të ishte një hap i domosdoshëm për të hapur rrugën drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. “Gjakderdhja duhet të ndalojë. Ukraina duhet të jetë një shtet sovran dhe i sigurt brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht,” thuhet në deklaratë.
Në të njëjtën kohë, katër vendet njoftuan se do të rrisin presionin ndaj Rusisë, nëse Moska nuk pranon kushtet e armëpushimit. Komisioni Europian është duke përgatitur paketën e 17-të të sanksioneve ndaj Kremlinit. Vizita historike vjen në një kohë kur Rusia kremton 80-vjetorin e fitores ndaj nazizmit, ndërsa Ukraina vazhdon të përballet me agresionin rus në frontet lindore dhe jugore.
