Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të enjte në fshatin Ishull Shëngjin, ku një bombul gazi ka shpërthyer brenda një banese, duke shkaktuar plagosjen e një gruaje 64-vjeçare. Viktima, identifikuar si Mara Biba, ka pësuar djegie të shumta dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur në njësinë administrative të Shëngjinit, dhe sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Lezhës, bombula ka shpërthyer papritur, duke përfshirë në flakë ambientin dhe lënduar rëndë të moshuarën. Shkaqet e incidentit po hetohen, ndërsa policia dhe zjarrfikësit kanë mbërritur në vendngjarje për të bërë ekspertizën dhe për të shmangur ndonjë rrezik të mëtejshëm.







