FLASH :

Lezhë/ 35-vjeçari merret peng pas sherri, autorët e braktisin nga frika e policisë!

Një pengmarrje ka ndodhur pas një sherri në Lezhë. Një 35 vjeçar është marr peng pranë një lokali në aksin Lezhë-Laç nga 3 persona dhe më pas është lënë i lirë. Policia po vijon kontrollet për kapjen e autorëve.

Një pengmarrje ka ndodhur në mesditën e sotme në Lezhë, ku një 35-vjeçar është marrë me forcë nga tre persona pas një konflikti fizik. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30, në parkingun e një lokali përgjatë aksit rrugor Lezhë-Milot, ku viktima, Dod Gjoka, është dhunuar dhe më pas futur me forcë në një automjet nga tre persona të tjerë.

Sipas burimeve, Gjoka kishte ndaluar makinën e tij në parking kur është konfrontuar me tre individët, të cilët pas një përplasjeje fizike e kanë detyruar të hipë në makinën e tyre. Dëshmitarët e pranishëm kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila ka reaguar shpejt duke ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore që lidhin Lezhën me qytetet e tjera.

Pas ndjekjes nga policia, autorët kanë liruar 35-vjeçarin duke e zbritur në mes të rrugës dhe më pas janë larguar me shpejtësi. Gjoka ka pësuar dëmtime në kokë si pasojë e dhunës së ushtruar, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Nga hetimet paraprake, policia ka identifikuar tre personat e përfshirë në këtë ngjarje, të cilët janë K. P., B. V. dhe Xh. E., banues në fshatin Tresh. Për momentin, shërbimet e rendit po vijojnë kontrollet për të vënë në pranga autorët e kësaj ngjarjeje.

‘Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe të gjendur nën presionin e kontrolleve intensive të Policisë, autorët dyshohet se e kanë zbritur nga automjeti, shtetasin D. Gj., i cili aktualisht po merr ndihmë mjeksore në spitalin e Lezhës dhe është jashtë rrezikut për jetën’, njoftoi sot policia.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit. Ndërkohë, vijojnë kontrollet intensive për kapjen e autorëve.

Kush është Dod Gjoka?

Ndërkohë, Dod Gjoka nuk është emër i panjohur për autoritetet, pasi në vitin 2017 ai është arrestuar për vendosjen e një gjobe prej 25 mijë euro ndaj një biznesmeni lokal, të cilin e kishte kërcënuar se do t’i vriste djalin nëse nuk i paguante shumën e kërkuar. Atëkohë, biznesmeni kishte bashkëpunuar me policinë, duke çuar në arrestimin e tij përmes një operacioni të mirëorganizuar.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të pengmarrjes dhe kapjen e autorëve, ndërsa ngjarja ka krijuar shqetësim tek banorët e zonës për shkak të përplasjes së dhunshme që ndodhi në mes të ditës.