Presidenti amerikan Donald Trump u përball me kritika të shumta pasi ftoi presidentin rus Vladimir Putin në tokën amerikane për herë të parë pas një dekade, me pritje zyrtare, tapet të kuq dhe një samit të profilit të lartë në Alaskë. Takimi u zhvillua pavarësisht se Putini nuk kishte ofruar asnjë lëshim paraprak, përveç një paralajmërimi se do të vazhdonte luftën në Ukrainë nëse samiti nuk shkonte sipas kushteve të tij.
Trump shpresonte të siguronte një armëpushim të përkohshëm, por në konferencën e përbashkët për shtyp të së premtes, u bë e qartë se nuk kishte marrë as minimumin që kërkonte. Pavarësisht fjalëve të ngrohta të Putinit dhe përshkrimit të tij si një “partner fantastik” nga Trump, presidenti rus nuk lëshoi asnjë centimetër në qëndrimin e tij: Ukraina është territor rus dhe kompromisi nuk është opsion.
“Ende s’kemi arritur marrëveshje, por jemi shumë pranë,” tha Trump, duke e quajtur takimin “jashtëzakonisht produktiv”, edhe pse pranoi se nuk pati përparim për çështjen “më të rëndësishme”armëpushimin. Të dy udhëheqësit u larguan nga konferenca pa pranuar pyetje nga gazetarët.
Samiti në vetvete u kritikua gjerësisht, pasi u mbajt pa ndonjë garanci për lëshime nga pala ruse gjë që zakonisht shmanget në takime të kësaj peshe. Trump i dha gjithashtu një tjetër avantazh simbolik Putinit, duke e ftuar atë në limuzinën presidenciale për një bisedë private një veprim i rrallë mes rivalësh të mëdhenj ndërkombëtarë.
Putini duket se synoi të përkëdhelte egon e Trump, duke pohuar në mënyrë publike se nëse Trump do të kishte qenë president në vitin 2022, Rusia nuk do ta kishte nisur kurrë luftën në Ukrainë. “Jam i sigurt se do të ishte ashtu,” deklaroi ai, duke nënkuptuar se Trump mund të kishte pranuar një formë kontrolli rus mbi Ukrainën.
Samiti i Alaskës u zhvillua mes sinjaleve kontradiktore nga vetë Shtëpia e Bardhë. Pak javë më parë, Trump e kishte quajtur Putinin “të pakuptimtë” dhe i ishte ankuar për sjelljen e tij të dyfishtë. Madje kishte përmendur edhe idenë për “ndërrim territoresh” midis Rusisë dhe Ukrainës, përpara se t’u thoshte liderëve europianë se kërkonte vetëm një armëpushim.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk ishte ftuar në samit, edhe pse qëndrimi i tij është gjithashtu që një armëpushim duhet të vijë para çdo diskutimi për territoret.