Një letër jashtëzakonisht e rrallë e shkruar nga koloneli Archibald Gracie, një pasagjer i klasit të parë që mbijetoi mbytjen tragjike të Titanikut, është shitur për një çmim rekord në një ankand në Angli.
Letra, e titulluar “E Vërteta rreth Titanikut”, përshkruan përvojën e Gracie gjatë tragjedisë së 15 prillit 1912, që mori jetën e rreth 1,500 personave në udhëtimin fatkeq drejt Nju Jorkut.
Letra mban datën 10 prill 1912, ditën kur Gracie hipi në anije, dhe vulat postare të Queenstown më 11 prill dhe Londrës më 12 prill. “Është një anije e bukur, por do të pres deri në fund të udhëtimit tim para se ta gjykoj”, shkruante ai.
Në ankandin e organizuar nga Henry Aldridge and Son në Devizes, Wiltshire, letra u shit për pesëfishin e çmimit të saj të vlerësuar prej 60,000 £, duke shënuar çmimin më të lartë të arritur ndonjëherë për një letër të shkruar në Titanik.
Sipas ankandistëve, letra nuk ishte ofruar kurrë më parë për shitje dhe dokumente të tilla nga figura të profilit të Gracie janë tepër të rralla në treg. Letra ishte ruajtur nga xhaxhai i shitësit, një i njohur i Gracie, që e kishte marrë në hotelin Waldorf në Londër.
Në letrën e tij, Gracie bënte krahasime mes Titanikut dhe anijes tjetër Oceanic, duke theksuar se megjithëse Titaniku kishte më shumë luks, ai ndjente mungesën e karakterit të “mikes së vjetër të detit”.
Koloneli kaloi pjesën më të madhe të udhëtimit duke shoqëruar gra të pashoqëruara, përfshirë një grua dhe tre motra që për fat mbijetuan. Më 14 prill, ai kishte marrë pjesë në aktivitete si lojëra dhe not në pishinën e Titanikut, përpara se të merrte pjesë në një shërbesë fetare.
Tragjedia goditi rreth orës 23:40, kur Gracie u zgjua dhe vuri re se motorët e anijes kishin ndaluar. Ai ndihmoi gratë dhe fëmijët të hipnin në varkat e shpëtimit, duke u siguruar edhe batanije, përpara se anija të fundoshej në Oqeanin Atlantik të Veriut.
Gracie vetë arriti të shpëtonte duke hipur në një varkë shpëtimi të përmbysur, së bashku me dhjetëra burra të tjerë. Megjithatë, siç përshkroi në letrën e tij, më shumë se gjysma e tyre humbën jetën gjatë natës për shkak të të ftohtit dhe lodhjes.
“Në asnjë rast, jam i kënaqur ta them, nuk dëgjova asnjë fjalë qortimi nga ndonjë notar për refuzimin e ofrimit të ndihmës”, shkroi Gracie, duke përshkruar një prej netëve më të errëta të historisë detare.
Sipas Henry Aldridge and Son, “E Vërteta Rreth Titanikut” mbetet një nga rrëfimet më të plota dhe të detajuara të tragjedisë së famshme.