Rikuperimi është individual dhe varet nga kohëzgjatja dhe lloji i trajtimeve që keni përdorur më parë
Thonjtë e bukur dhe të mirëmbajtur janë zbukurim i duarve, por vetëm kur janë të shëndetshëm. Ndryshe nga një unazë apo një palë vathë që mund t’i mbajmë çdo ditë, thonjtë e mbuluar vazhdimisht me shtresa llaku apo geli nuk janë aq të padëmshëm. Dermatologët paralajmërojnë se përdorimi i shpeshtë i këtyre produkteve, aq sa të mos dimë më se si duken thonjtë tanë natyralë, mund të paraqesë rrezik për shëndetin. Nga ana tjetër, kujdesi për thonjtë nuk është i vështirë, mjafton t’u japim atyre kohë që herë pas here të “marrin frymë”.
Çfarë do të thotë që thonjtë “marrin frymë”?
Ky shprehje vendoset mes thonjëzash sepse thonjtë nuk janë ind i gjallë dhe nuk mund të marrin frymë vërtet. Dermatologia dr. Lindsey Zubritsky shpjegon se “të lësh thonjtë të marrin frymë” nënkupton thjesht një pushim nga trajtimet që dëmtojnë shëndetin ose pamjen e tyre.
Sipas specialistëve, përdorimi i gjatë i produkteve kozmetike çon në tharjen e thonjve. Ashtu si dehidratimi dëmton trupin, edhe thonjtë e vuajnë mungesën e lagështisë, transmeton Telegrafi.
Shenjat që tregojnë se thonjtë kanë nevojë për pushim
▪ Hollohen dhe duken si letër
▪ Fillojnë të shtresëzohen
▪ Thyen lehtë
▪ Humbasin shkëlqimin natyral
▪ Shfaqin njolla të bardha
▪ Ndjehet dhimbje, skuqje ose ndjeshmëri në bazën e thoit
▪ Dëmtim i skajeve të kutikulave
▪ Zverdhje ose njolla të errëta
Nëse vëreni ndonjë prej këtyre shenjave, është koha e duhur për pushim. Sa të zgjasë ky pushim?
Sipas dermatologes dr. Leena Ramani, aq sa të duhen thonjve për t’u rikthyer në gjendje të mirë. Kur ata nuk thyhen lehtësisht dhe nuk përkulen më, mund të filloni gradualisht rikthimin në manikyr. Rikuperimi është gjithmonë individual dhe varet nga trajtimet e përdorura më parë.
A janë disa lloje manikyri të dëmshme?
Përgjigjja është: po dhe jo. Llaku i zakonshëm është më pak i dëmshëm, por edhe ai, si çdo formë manikyri, mund të shkaktojë tharje dhe dobësim. Ndërsa trajtime si geli, dip puwder dhe akriliku sjellin rreziqe shtesë: alergji, ekspozim ndaj rrezeve UV dhe iritim të lëkurës. Më problematiku është procesi i heqjes, i cili shpesh bëhet me mjete agresive dhe mund të shkaktojë infeksione.
Dermatologët theksojnë se heqja e kutikulave me prerje ose kimikate dëmton mbrojtjen natyrore të matricës së thoit, pjesës ku formohet thoi. Heqja agresive e tyre e ekspozon këtë zonë delikate ndaj faktorëve të jashtëm dhe rrit rrezikun e infeksioneve.
Si të ndihmoni rikuperimin e thonjve?
▪ Përdorni vaj kutikule ose krem me bazë vazeline
▪ Mbajini thonjtë të shkurtër
▪ Përdorni kremra ushqyes për duar me ceramide
▪ Pasuroni dietën me proteina, hekur dhe vitamina të grupit B
▪ Aplikoni krem pas çdo larjeje të duarve
▪ Përdorni doreza gjatë larjes së enëve
Kur është e domosdoshme vizita te dermatologu?
Shumica e dëmtimeve përmirësohen me kujdes shtëpiak, por disa simptoma kërkojnë kontroll profesional:
▪ Vijë ose shirit i errët nën thua (mund të jetë shenjë e melanomës subunguale)
▪ Ngjyrosje e verdhë ose jeshile e thoit
▪ Prania e qelbit, ënjtjes apo dhimbjes
Në këto raste, vizita te dermatologu është e domosdoshme, sepse vetëm ai mund të përcaktojë me saktësi shkakun dhe trajtimin e duhur.