FLASH :

Leonardi, hajduti serial bën kërdinë në dyqanet e Durrësit, policia e liron

Leonard Guce, një i ri nga Berati, duket se ka nisur një “karrierë” të hershme në profesionin e hajdutit. Megjithëse i ri në moshë, ai ka krijuar një reputacion shqetësues në zonën e Plazhit, ku pronarët e dyqaneve e shohin si një problem serioz për bizneset e tyre.

Një pronare marketi ka dërguar në redaksinë tonë pamje ku duket i riu në disa episode të vjedhjeve. Ai afrohet pranë rafteve sidomos pranë pijeve alkoolike, që duket se janë “pika e dobët” e tij. Në të dy rastet e filmimit, ai merr pijet dhe i fut në pantallona, duke i shpëtuar pa u kapur nga pronarja por jo nga kamerat e sigurisë. Pronarja shprehet se Leonard nuk është i izoluar në veprimet e tij, pasi sipas saj, ai ka goditur dhe shumë dyqane të tjera në zonën e Plazhit.

Denoncimet për veprimet e tij janë të shumta dhe kanë mbërritur tek policia e Durrësit, ku pronarët e dyqaneve kanë arritur të zbulojnë e identitetin e tij që sipas policisë është personi i përmendur më lart. Megjithatë, ajo që habit më shumë është se i riu mbahet vetëm një ditë në komisariat dhe më pas lihet i lirë. Ky fakt ka ngjallur shqetësim te pronarët e biznesit, të cilët ndjehen të pambrojtur dhe të pafuqishëm përballë veprimeve të tij.

Ndërkohë, duket se policia e Durrësit ka prioritete të tjera, duke lënë pas dore kontrollin e hajdutëve serialë që plaçkisin dyqanet e zonës. Situata vazhdon të shqetësojë bizneset në zonën e Plazhit, ndërsa pronarët kërkojnë vënien e tij para ligjit.