FLASH :

“Lekë të rinj apo të vjetër?” – Si një reformë e thjeshtë në 1965 shkaktoi kaosin që vazhdon edhe sot

Si lindi ngatërresa Lek i Ri-Lek i Vjetër ne 1965? Ngatërresa e famshme që shqiptarët vazhdojnë ta përmendin edhe sot- “lekë të rinj” dhe “lekë të vjetër”, lindi në gusht të vitit 1965, në momentin kur hyri në fuqi reforma monetare e 1964 që hoqi një zero nga monedha kombëtare. 10 lekë të vjetër barazoheshin me 1 lek të ri. Ky ndryshim duhej të përfshinte jo vetëm kartëmonedhat, por të gjitha marrëdhëniet financiare në vend: pagat, çmimet, taksat, borxhet, kontratat, faturat, bilancet etj. Ku qëndronte problemi? Rrjetet e tregtisë dhe institucionet nuk e zbatuan në mënyrë të njëtrajtshme kalimin në lekë të rinj. Disa përdornin ende lekët e vjetër në raportime, bilance dhe dokumente zyrtare, ndërsa të tjerët aplikonin lekët e rinj. Në shumë raste, nuk specifikohej nëse shifrat ishin në lekë të rinj apo të vjetër, gjë që shkaktoi keqkuptime serioze në përllogaritje dhe veprime financiare. Përdorimi paralel i të dy sistemeve. Qeveria e kohës tentoi të ndihmonte zyrtarët dhe qytetarët duke kërkuar që pas çdo shifre të shtohej shkronja “Lr” (lek i ri). Në shumë dokumente u përdorën të dyja format – “lek i ri” dhe “lek i vjetër” e kjo krijoi një situatë të dyfishtë. Qytetarëve nuk iu shpjegua në mënyrë të plotë se çfarë po ndodhte. Edhe pse çmimet në dyqane ndryshuan dhe lekët e rinj hynë në qarkullim, në përditshmëri njerëzit vazhduan të llogaritnin me “lekë të vjetër”, për të mos u ngatërruar me vlerat reale. Kjo solli lindjen e një praktike të përditshme: për të shmangur paqartësinë, njerëzit filluan të sqarojnë: “lekë të rinj apo të vjetër?”

Ironikisht, një reformë monetare që synonte thjeshtim, solli një nga ngatërresat më jetëgjata në historinë financiare të Shqipërisë…