Thomas Müller zhvillon sot ndeshjen e tij të 502-të në Bundesligë — dhe të fundit përpara tifozëve të tij në Allianz Arena, në sfidën kundër Borussia Mönchengladbach (ora 18:30). Edhe pse i njohur për humorin e tij të veçantë, ditën e sotme pritet të jetë më emocionale se kurrë për ikonën e Bayern Munichut.
“Është ndoshta më e veçantë për të tjerët – sepse ata do të më shohin më pak. Unë e shoh veten çdo ditë”, u shpreh 35-vjeçari me ironi të hollë para përballjes së lamtumirës. Klubi dhe tifozët pritet t’i organizojnë një homazh të denjë në stadium — për të mbyllur një epokë të artë me një nga emrat më të dashur të skuadrës bavareze.
10 momentet kyçe të karrierës së Thomas Müller
1. Debutimi nën drejtimin e Klinsmannit
Më 10 mars 2009, Müller hyri si zëvendësues në fitoren 7-1 kundër Sporting Lisbonës, duke shënuar golin e fundit. Në Bundesligë debutoi më 15 gusht 2008, kundër Hamburgut.
2. Tregolëshi i parë
Më 1 maj 2010, në fitoren 3-1 ndaj Bochum, Müller shënoi tripletën e parë dhe fitoi titullin e parë kampion. Do të pasoheshin edhe 12 të tjerë.
3. Finalja në shtëpi (2012)
Müller shënoi në minutën e 83-të ndaj Chelseat, por Bayerni humbi me penallti në një natë zhgënjyese në “Allianz Arena”.
4. Triumfi europian (2013)
Një vit më pas, Bayerni fitoi finalen ndaj Dortmundit në “Wembley” (2-1), dhe Müller mori trofeun më të rëndësishëm në nivel klubesh.
5. Masakra ndaj Hamburgut
Më 14 shkurt 2015, Bayern fitoi 8-0 ndaj HSV-së; Müller shënoi dy gola dhe dha tri asistime.
6. Drama ndaj Juventusit (2016)
Në ndeshjen e kthimit të 1/8-ve, Müller shënoi në fund për të çuar sfidën në shtesë, duke mbajtur gjallë ëndrrat e Champions-it.
7. Kapiten për herë të parë (2017)
Më 22 prill, Müller mbajti për herë të parë shiritin e kapitenit në barazimin 2-2 ndaj Mainz-it.
8. Euro 2024 në shtëpi
Përfshihet në listën e Julian Nagelsmann dhe jep një assist në fitoren 5-1 ndaj Skocisë, në ndeshjen hapëse të Euro 2024 në Mynih.
9. Rekordmen i Bayern Munichut
Më 1 shtator 2024, në ndeshjen e tij të 710-të, Müller parakaloi legjendën Sepp Maier si lojtari me më shumë paraqitje në historinë e klubit. Aktualisht numëron 749.
10. Goli i fundit europian
Pas shpalljes së largimit, në prill 2025, Müller barazoi rezultatin ndaj Interit në Ligën e Kampionëve. Edhe pse Bayern humbi 1-2, atmosfera në stadium ishte madhështore.