Lamine Yamal ka shkaktuar bujë të madhe në rrjetet sociale dhe mediat sportive, pasi fanella e tij zyrtare u bë më e shitura për një ditë të vetme në historinë e FC Barcelonës.
Sipas gazetarit spanjoll Miguel Rico, fanella “Nike” me emrin e talentit 17-vjeçar ka gjeneruar të ardhura rekord prej 2.1 milionë dollarësh në vetëm 24 orë – një shifër që e vendos Yamalin në një tjetër nivel, si sportivisht ashtu edhe komercialisht.
Kjo arritje vjen pas një serie paraqitjesh mbresëlënëse me ekipin e parë të Barcelonës, ku Yamal ka treguar jo vetëm talent, por edhe pjekuri përtej moshës. Ai është shndërruar tashmë në një figurë kyçe për klubin katalanas, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe si burim të ardhurash.
Barcelona synon ta kapitalizojë maksimalisht figurën e tij, teksa rikthimi në “Camp Nou” sezonin e ardhshëm pritet të shoqërohet me një tjetër valë entuziazmi dhe shitjesh rekord.







