FLASH :

Lajme Troç e paralajmëroi, Rama zyrtarizon taksën më të lartë për shtëpinë e dytë dhe rritjen e çmimeve të referencës për pronat!

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime të rëndësishme në politikën fiskale që lidhet me taksimin e pasurive të paluajtshme. Gjatë një takimi me kryetarët e bashkive, ai deklaroi se brenda pak ditësh ose javësh do të bëhen publike çmimet e reja të referencës për pronat në të gjithë vendin.

Sipas Ramës, çmimet e reja do të përfshijnë një element të ri: taksë më të lartë për shtëpitë e dyta, krahasuar me shtëpinë e parë. Kjo nismë synon të sjellë më shumë të ardhura për bashkitë, veçanërisht ato në zonat bregdetare, ku sipas kryeministrit, shumë qytetarë kanë prona të dyta.

“Do kenë dhe një element tjetër të ri, që taksa për shtëpinë e dytë do jetë më e madhe sesa për shtëpinë e parë. Bashkitë, sidomos ato të bregdetit, do kenë një të ardhur të shtuar nga ky proces,” deklaroi Rama.

Ai theksoi gjithashtu se rritja e çmimeve të referencës do të rrisë në mënyrë të konsiderueshme vlerën e taksës së pasurisë, duke u bërë një burim kryesor të ardhurash për pushtetin vendor.

“Kush do ta menaxhojë mirë taksën e pasurisë do ketë të ardhura shumë më tepër, sepse ajo është baza kryesore në të gjitha bashkitë e botës,” tha ai.

Kryeministri shprehu shqetësimin për nivelin e lartë të disa taksave vendore, të cilat i cilësoi si “ekstremisht të larta” dhe “të pakuptimta”. Ai veçoi raste konkrete si taksa e tavolinave për bizneset e vogla, apo barrën fiskale ndaj investitorëve në sektorin minerar dhe të energjisë.

“Ka raste ekstravagante me taksa lokale të çuditshme ndaj atyre që merren me miniera apo me investime në energji. Edhe këtu duhet patur sens dhe kuptim. Për këtë, ministria e Financave do të na japë një udhërrëfyes të ri,” shtoi Rama.

Ky ndryshim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në tregun e pasurive të paluajtshme dhe në buxhetet familjare, sidomos për pronarët e disa pasurive në zonat turistike dhe urbane.

Në vijim pritet të publikohet tabela e re me çmimet e referencës për çdo zonë, e cila do të shërbejë si bazë për përllogaritjen e taksës së pasurisë.