Promovuar si një parajsë për familjet, Palmerston Heights në Plymouth po cilësohet sot si një nga lagjet më problematike të Anglisë jugperëndimore. Banorët ndihen të mashtruar, të zhgënjyer dhe të bllokuar në prona të pashitshme, mes zhurmës, ndotjes dhe premtimeve të thyera.
Kur ndërtuesit e Persimmon Homes prezantuan projektin e Palmerston Heights në Devon, ata premtuan një lagje të qetë, me pamje piktoreske, afër natyrës dhe ideale për rritjen e një familjeje. Por për shumë nga banorët që zhvendosën jetën dhe investimet e tyre atje, ëndrra u kthye në një zhgënjim të thellë.
Rruga 52-milionëshe që ndryshoi gjithçka
Gjithçka ndryshoi kur nisi ndërtimi i Forder Valley Link Road – një autostradë e re me dy korsi dhe një urë 140 metra të gjatë, që kalon përmes zemrës së lagjes, duke lidhur autostradën A38 me pjesën veriore të Plymouthit. Ndërtimi i saj nisi në vitin 2019, katër vite pasi banorët e parë nisën të shpërnguleshin në lagje.
Shumë prej tyre pretendojnë se nuk ishin informuar fare për këtë zhvillim madhor që do të ndryshonte rrënjësisht karakterin e zonës – nga një komunitet i qetë banimi në një pikë strategjike trafiku të rënduar.
“Po të dija, nuk do kisha ardhur kurrë”
Emma Trimmer, 43 vjeç, bashkë me burrin dhe tre fëmijët e saj, është një nga banoret që ndjehet e mashtruar:
“Ditën që u shpërngula, një fqinje më ftoi për çaj dhe më tregoi për ndërtimin e rrugës. Ishte hera e parë që e dëgjoja. Nëse do e dija, nuk do kisha ardhur kurrë. Rruga është si autostradë – makina kalojnë me 60 milje/orë, nuk ka pengesa shpejtësie apo kamera sigurie. Është e rrezikshme për fëmijët.” Çifti pagoi 248 mijë paund për shtëpinë dhe tani thotë se prona është e pashitshme, me vlerë minimale pas tetë vitesh. Ata kanë tentuar dy herë ta shesin, pa sukses.
Fasada që shembet, skele që s’hiqen
Por shqetësimet nuk ndalen me rrugën. Dhjetëra banorë raportojnë probleme serioze me ndërtimin. Fasada të prishura, materiale cilësisht të dobëta dhe ndërhyrje të vazhdueshme.
“Njëherë, një tjegull më ra thuajse në kokë kur po hyja në shtëpi,” tregon Emma. E gjithë rruga Pintail Way është kthyer në kantier ndërtimi për shkak të nevojës për rindërtim të fasadave. Rebecca dhe Andy Jones, të cilët paguan 315 mijë paund vetëm vitin e kaluar, thonë se skelat qëndruan për muaj të tërë dhe e bënë të pamundur hapjen e derës së përparme gjatë gjithë verës.
“U shpërngulëm me shumë entuziazëm, por tani e quajmë shtëpinë tonë ‘Fawlty Towers’. Ndjehemi të zhgënjyer.”


Premtime të thyera dhe mungesë shërbimesh
Një tjetër banor, Mark Stephen, deklaron se i ishte premtuar një rrugë e zbukuruar me pemë dhe dyqane lokale, por përfundoi përballë një autostrade. Ai bashkë me bashkëshorten nisën një proces gjyqësor ndaj avokatëve të tyre për mosinformim dhe arritën të marrin dëmshpërblim jashtë gjyqit.
“Na thanë se do kishim bulevard, dyqane dhe një komunitet të gjallë. Sot jemi të rrethuar nga zhurma, ambulanca dhe ndërtime pa fund.”
Lagjja, megjithëse ka përfunduar ndërtimin e afërsisht 900 shtëpive, nuk ka ende dyqane apo kënd lojërash për fëmijë një tjetër premtim i pambajtur që i lë banorët me ndjesinë se janë lënë pas dore.
Kompania: “Kemi ofruar informacion dhe jemi në kontakt me banorët”
Kompania Persimmon Homes deklaroi se informimi për rrugën e re ka qenë pjesë e materialeve zyrtare për shitje.
Gjithashtu, ata pranojnë se kanë përdorur gurë nga Lantoom Quarry, të cilët më pas rezultuan të papërshtatshëm për fasada dhe po ndërmarrin rindërtime.
“Jemi duke bërë progres në përmirësime dhe jemi në kontakt me banorët. Nuk kemi dijeni për raste ku shitja e pronës është ndikuar nga këto punime, por jemi të gatshëm të ofrojmë garanci me shkrim nëse kërkohet.”
Një model dështimi urban
Arkitekti Mark Pearson, i cili ka analizuar rastin për një studim të University College London, e ka cilësuar Palmerston Heights si një nga shembujt më të këqij të planifikimit urban në jugperëndim të Britanisë. Sipas tij, ky rast përbën një paralajmërim për mënyrën si trajtohet ndërtimi masiv në Britani, ku interesi komercial shpesh vjen përpara cilësisë së jetesës së banorëve.


