FLASH :

‘Laborator’ droge brenda banesës në Yzberisht, sekuestrohen 17 kg lëndë narkotike dhe 22.5 litra vaj kanabisi me vlerë 500 mijë euro! Pranga pronarit

Brenda banesës u gjetën rreth 17 kg lëndë narkotike dhe 22.5 litra vaj kanabisi me vlerë rreth 500 mijë euro si dhe dy armë zjarri. Pronari i arrestuar akuzohet se përpunonte drogën dhe e shiste në zonën e Yzberishtit.

Një ‘laborator’ droge është zbuluar brenda një banese në Yzberisht, ku përgatitej lënda narkotike dhe përpunohej në trajta dhe forma të ndryshme për shitje. Në pranga është vënë pronari i banesës, 61-vjeçari Shkëlqim Krrashi, si personi që siguronte sasi të mëdha kanabisi e kokaine dhe i shiste në Yzberisht.

Sipas policisë, brenda banesës u gjetën dhe sekuestruan rreth 17 kg kanabis në formë çokollate, e cila ishte e ndarë në  në 69 paketime dhe 22.5 litra vaj kanabisi që arrinin në vlerën rreth 500 mijë euro. U sekuestruan gjithashtu edhe rreth 65 gramë kokaine si edhe dy armë zjarri, një pistoletë dhe një armë gjahu.  

Gazetari Sokol Dema raporton se 61-vjeçari, i cili nuk rezulton me precedent penalë, e siguronte drogën dhe vajin në Maqedoninë e Veriut. Kokainën e shiste në doza të vogla, ndërsa për kanabisin dhe vajin e shiste me shumicë.

Në kuadër të këtij operacioni të koduar “Shape” po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Njoftimi i policisë: 

Tiranë/Finalizohet pas disa muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Shape”.

Zbulohet në Yzberisht, një banesë e përshtatur për përgatitjen e lëndëve narkotike Kanabis dhe Kokainë, në trajta dhe forma të ndryshme, me qëllim shitjen.  

Sekuestrohen nga banesa rreth 17 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Kanabis (çokollatë) dhe 22.5 litra vaj Kanabisi, të dyja me vlerë totale rreth 500 000 euro, një sasi Kokaine, 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu.

Arrestohet në flagrancë pronari i banesës. 

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për disa muaj, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Shape”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. K., 61 vjeç, banues në Yzberisht.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll në banesën e 61-vjeçarit, ku gjetën dhe sekuestruan rreth 17 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Kanabis (çokollatë), e ndarë në 69 paketime, 22.5 litra vaj Kanabisi (të dyja sasitë me rreth 500 000 euro), rreth 65 gramë lëndë të dyshuar narkotike Kokainë, 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas siguronte sasi të mëdha të Kanabisit dhe Kokainës, i përgatiste në trajta dhe forma të ndryshme dhe i shiste në Yzberisht.  

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.