FLASH :

Laborator brenda murit të banesës / Babë e bir kishin sofistikuar falsifikimin e pasaportave në Tiranë

Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion të koduar “Identiteti”, duke çmontuar një laborator të sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve dhe pasaportave, i ngritur brenda një banese në kryeqytet. Në pranga kanë rënë dy persona – babë e bir, Ylli dhe Pjerin Brahimaj – ndërsa një bashkëpunëtor i tyre, Sh. L., është proceduar penalisht.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas një hetimi 7-mujor të ndjekur me metoda speciale. Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarve, u zbulua një ambient i fshehur i përshtatur si laborator, ku prodhoheshin dokumente të ndryshme të dyshuara si të falsifikuara – përfshirë pasaporta me shtetësi të huaj – që më pas përdorej për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufijve drejt vendeve të BE-së dhe SHBA-së.

Sipas hetimeve, një pasaportë false shitej nga 15 deri në 20 mijë euro. Ylli Brahimaj rezulton të jetë aktualisht edhe nën masën “arrest në shtëpi” të dhënë nga SPAK, për pjesëmarrje në një grup kriminal që merrej me të njëjtën veprimtari.

Policia vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetin e falsifikimit. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.