Hapësirat publike janë zaptuar pa asnjë leje nga individë që ushtrojnë veprimtari tregtare jashtë çdo kontrolli ligjor, ndërsa mungesa e kasave fiskale, licencave dhe dokumentacionit tatimor përforcon dyshimet për aktivitet të paligjshëm ekonomik. Kontrollet e Policisë së Vlorës kanë evidentuar pesë raste konkrete që kanë çuar në procedimin penal të pesë shtetasve. Pamjet filmike të bëra publike nga Policia e Vlorës tregojnë qartë një zonë të kthyer në treg makinash, ku janë rreshtuar dhjetëra automjete, pranë të cilave funksionojnë lavazhe të improvizuara dhe kafene të vogla të ngritura në mënyrë të paligjshme.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, përmes Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, kanë intensifikuar kontrollet në terren me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme si dhe verifikimin e ligjshmërisë së aktiviteteve tregtare. Si rezultat i këtyre veprimeve janë konstatuar pesë raste të shkeljes së ligjit në zona të ndryshme të qytetit dhe janë proceduar penalisht pesë shtetas.
Në lagjen “11 Janari” u identifikuan dy raste: shtetasi E. H., 32 vjeç, ushtronte aktivitet tregtar për dhënien me qira të automjeteve në një hapësirë publike të zënë në mënyrë të paligjshme; ndërsa shtetasi I. D., 58 vjeç, kishte ngritur një pikë “Fast Food”-i, po ashtu në hapësirë të zaptuar në kundërshtim me ligjin.
Në lagjen “Uji i Ftohtë”, u konstatuan dy raste të tjera: shtetasi K. B., 39 vjeç, ushtronte aktivitet për parkim automjetesh pa qenë i pajisur me NIPT dhe pa kasë fiskale; dhe shtetasi E. F., 46 vjeç, po ashtu ushtronte të njëjtin aktivitet pa leje përkatëse dhe pa kasë fiskale.
Rasti i pestë u evidentua në lagjen “10 Korriku”, ku shtetasi M. I., 64 vjeç, ushtronte aktivitet tregtar për parkimin e automjeteve në një hapësirë publike të zënë në mënyrë të paligjshme, duke mos pasur leje përkatëse dhe duke punësuar persona të paregjistruar.
Për të pesë shtetasit është nisur procedimi penal për veprat penale “Pushtimi i tokës”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore” dhe “Punësimi i paligjshëm”.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë njofton se do të vijojë kontrollet në të gjithë territorin për të ndaluar çdo shkelje që cenon hapësirat publike dhe ligjshmërinë ekonomike. Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112.