Ndodhet në Evropën Veriore dhe pika e saj më e lartë natyrore arrin vetëm 170.86 metra mbi nivelin e detit
Bëhet fjalë për Danmarkën, e cila ka majën më të lartë natyrore të quajtur Møllehøj, me lartësi 170.86 metra. Pikërisht në këtë vend ndodhet edhe një kullë karakteristike, 13 metra e lartë, e ndërtuar në vitin 1924 si monument për ribashkimin e Jyllandit me Danimarkën. Nga maja e saj shtrihet një pamje madhështore e peizazheve të formuara gjatë periudhës së fundit akullnajore. Në ditë të kthjellëta, mund të shihet edhe ishulli Samsø, si dhe ura mbi ngushticën Lillebælt, rreth 50 kilometra larg nga Møllehøj.
Një analizë e fundit ka treguar se “magjike” Danimarka ka 607 kilometra katrorë rrafshnalta baticore. Peizazhi i këtij vendi të Evropës Veriore me klimë të butë, dimra të lagësht e me erë dhe vera të freskëta, është kryesisht i sheshtë, i modeluar nga akullnajat e lashta, me disa fusha paksa të valëzuara.
Tumët e epokës së bronzit – më të larta, por jo natyrore
Megjithëse Møllehøj njihet zyrtarisht si pika më e lartë e Danimarkës, shumëkush mendon se titulli duhet t’i përkasë Ejer Bavnehøj (Jding Skovhøj), që arrin 172.54 metra mbi nivelin e detit. Në majën e tij ndodhen tre tuma të epokës së bronzit, por studiuesit debatojnë nëse ato janë të krijuara natyrshëm apo janë struktura të ndërtuara nga njeriu. Për këtë arsye, ato nuk janë shpallur si pika më e lartë natyrore e Danimarkës. Debati mbi këtë temë vazhdon prej shekujsh dhe ende nuk ka marrë fund