FLASH :

Ky apartament në Tiranë që po shitet 220 euro m2 më lirë është prova se flluska plasi!

Në Tiranë një apartament në kompleksin Oxa në Linzë të ndërtuesit Fatmir Bektashi, po shitet 220 euro më lirë për metër katror se sa shitej disa javë më parë.

Në fakt, një apartament i tipoplogjisë 1+1, 61 m2, kushton 72 mijë euro, në atë që po reklamojnë aktualisht agjencitë imobiliare, që do të thotë se po shitet me 1180 euro metri katror, nga 1400 euro që ishte disa javë më parë.

Lajme Troç paralajmëroi përpara disa muajsh se 1 korriku do të ishte data zyrtare kur flluska e çmimeve artificiale të apartamenteve brenda vijës së verdhë në Tiranë do të plaste dhe kjo tashmë ka ndodhur, ekzaktësisht në periudhën e paralajmëruar.

Ne kemi muaj që paralajmërojmë se sado që ndërtuesit dhe agjentët spekulantë të bëjnë allishverishe, mbi logjikën e tregut mund të shkohet deri në një pikë të caktuar, më pas ky i fundit të kthehet si bumerang dhe nuk ka gjë që e ndal dot më.

Tendencën në rënie të çmimeve të apartamenteve në qendër dhe brenda vijës së verdhë e konfirmon sot dhe revista e specializuar ekonomike Monitor.

Kjo reviste shkruan se gjithnjë e më shumë ndërtues në Tiranë po presin që të ketë ulje të çmimeve në muajt në vijim.

Rënia në balancë në tremujorin e fundit nga 14.3 në 7.2 pikë sugjeron se pritshmëritë për rritje çmimesh po zbehen. Pas muajit nëntor 2024, kjo është pritshmëria e dytë më e ulët që nga nëntori i vitit 2020- shkruan Monitor, që është bazuar edhe te TBN (Treguesi i Besimit në Ndërtim) i Bankës së Shqipërisë, sipas së cilës gjithashtu çmimet në ndërtim dhe në punësimin në këtë sektor, pritet të kenë një rënie.

Në këtë pikë zgjedhja më e duhur që mund të bëjnë qytetarët që duahn të bëjnë një investim të sigurt është të presin disa muaj, pasi çmimi pritet të bjerë deri në 40% në muajt e ardhshëm, për shkak të mbingopjes me ndërtime në qe ndër dhe brenda vijës së verdhë.

Ata që do të bëjnë investimet më të zgjuara, do të jenë ata që investojnë në ndërtime cilësore dhe ku hapësirat janë të mëdha dhe koefiçienti i ndërtimit i ulët.

Komplekset e ndërtimit në zona si Paskuqan, Laknas, apo Rinas, po bëhen gjithnëj e më të preferuara, për shkak se kanë parqe, vende parkimi të sigurta dhe shërbime si kopshte, çerdhe, shkolla dhe të gjitha shërbimet e tjera të përfshira brenda kompleksit.

Ndaj duke përfituar nga shpërthimi i flluskës që do të ulë çmiet si dhe duke parë që Tirana është bërë e pajetueshme në qendër dhe brenda vijës së verdhë, ku njerëzit ende zaptojnë hapësirat publike dhe konfliktohen me njëri tjetrin për të parkuar makinën, sherre që ndonjëherë janë edhe fatale, kombinimi i mençur për investim do të jetë binomi periferi-shpërthim flluske.

Ndërkohë që investime të sigurta dhe me një kthim shumë të shpejtë të investimit vazhdojnë të mbeten ato në bregdet, që nga Velipoja, deri në Ksamil, duke kaluar nga Tala, Shëngjini, Dhërmiu, Palasa, e kështu me radhë.