Një firmë ndërtimi në Leeds është përballur me një valë kritikash pas publikimit të një videoje në TikTok, ku pretendohej se kishte shkatërruar rrugicën e një klienteje për shkak të një fature të papaguar prej 3,800 paundësh – një akuzë që rezultoi plotësisht e pavërtetë dhe, sipas vetë kompanisë, e prodhuar me inteligjencë artificiale.
“Nuk paguan? Ta marrim me zor!”
Në videon që mori mbi një milion shikime në TikTok, punëtorë të kompanisë Kendall Contractors Ltd shfaqen duke përdorur një sharrë elektrike dhe një ekskavator për të çmontuar një rrugicë të sapopërfunduar, ndërsa në sfond dëgjohet muzikë ritmike. Përshkrimi i postimit ishte provokues: “Can’t pay? We’ll take it away” – një referencë ndaj një emisioni britanik ku pronarët e borxheve humbasin pasuritë e tyre.
Mirëpo, sipas pronares së shtëpisë në fjalë, e cila foli për MailOnline, videoja nuk kishte asnjë lidhje me realitetin. Ajo kishte paguar në kohë shumën e plotë dhe shkatërrimi i rrugicës ishte pjesë e një riparimi të rënë dakord më parë, pas dëmeve që ishin shkaktuar nga një kompani gazi.
“Më bënë të dukem si mashtruese, për sport”
“E vërteta është se rrugica po hiqej për ta rregulluar, jo sepse nuk kisha paguar. Ata e bënë këtë vetëm për të bërë humor në TikTok, duke më ekspozuar si dikë që shmang detyrimet financiare,” u shpreh ajo e indinjuar. “Tani njerëzit më shohin si dikë që nuk paguan, ndërkohë që kjo është plotësisht e pavërtetë.”
Kompania tërhiqet: Ishte video e krijuar me AI
Pasi përballoi një stuhi kritikash, firma ndërtimore publikoi një tjetër video ku sqaronte se videoja virale ishte “e rreme” dhe e prodhuar me inteligjencë artificiale. Në një deklaratë, ata pranuan se klientja kishte paguar gjithçka dhe se puna e përshfaqur në video ishte në fakt pjesë e një riparimi për shkak të punimeve të mëparshme nga kompania e gazit.
“Ne kërkojmë ndjesë. Videoja është fshirë. Jemi në kontakt me klienten dhe gjithçka është sqaruar,” u shpreh një përfaqësues i Kendall Contractors Ltd.
Drejtoresha e kompanisë, Sophie Kendall, nuk ka dhënë një reagim publik personal, por firma ka konfirmuar për MailOnline se drejtuesit i kanë kërkuar falje direkte pronares së shtëpisë.
Fqinjët: “Tani duhet t’i falin detyrimin”
Një fqinj i familjes tha për mediat: “Është e papranueshme të përhapësh një video të tillë, të vendosësh shtëpinë dhe emrin e dikujt online dhe ta akuzosh për mospagesë. Tani që është sqaruar, minimumi që mund të bëjnë është të mos i kërkojnë më pagesë për riparimet.”
Një PR i keq në kohë të vështira
Sipas të dhënave financiare të fundit, Kendall Contractors Ltd është në një situatë të vështirë, me humbje prej mbi 122 mijë paundësh deri në nëntor 2023 – çka mund të shpjegojë edhe përpjekjen për “viralitet” me çdo kusht, në kurriz të klientëve.







