Kush ka force t’i dale kundër Berishës ne PD ?

Nga Maksi Cami

Në një peizazh ku besueshmëria politike përcakton çdo veprim dhe fjalë, ata që vazhdojnë të mbështesin Sali Berishën pas zgjedhjeve të 25 majit 2025 do të fundosen jo vetëm në injorancë strategjike, por edhe në një krizë legjitimimi personal: do të humbasin edhe atë grimcë respekti që kanë fituar në popull, duke mbetur secili deputet i PD me ata njëqind militantë të verbër, që i rrijne nga pas e mund të bërtasin emrin e deputetit përditë, por nuk kane asnjë kapital a gravitet politik.

Sipas Jürgen Habermasit, transformimi i hapësirës publike kërkon jo vetëm rinovim të elitave politike, por edhe një ndryshim thelbësor të ideve dhe mënyrës se si komunikohet me qytetarët. Në “Legitimation Crisis” Habermas thekson se kur lidershipi nuk përshtatet me pritshmëritë dhe nevojat reale të qytetarëve, humbet “kapitalin normativ” që e mban gjallë autoritetin e tij politik. Për këtë arsye, ata që bashkëpunojnë ende me Berishën, rrezikojnë të përjetojnë një krizë motivimi dhe legjitimiteti, duke mbetur pengje të një trashëgimie të ngurtësuar, pa asnjë projekt të ri.

Në këtë kuadër, intelektualët dhe profilët më të spikatur të PD-së duhet të ndërmarrin veprimet kurajoze që Habermas propozon: se pari, Jorida Tabaku. Ajo nuk ka detyrime ndaj Berishës pas provës së zjarrit te listave të hapura qe e kaloi me dinjitet, ku doli më e votuara në rang kombëtar. Në një demokraci perëndimore, Berisha do të duhej t’i dorëzonte stafetën asaj, duke sinjalizuar se partia po ndërton elite të reja dhe, më e rëndësishmja, ide të reja për të nxitur debatin kritik dhe përfshirjen qytetare.

I dyti, Tomor Alizoti. Ndërsa emërimi i tij në listën e mbyllur të Elbasanit e detyron ate te jete mirënjohes, ai duhet të dëshmojë se disponon “kapital politik” të pavarur dhe jo vetëm besnikëri verbale ndaj berishes dhe strukturave ekzistuese. Kur ai të distancohet nga trashëgimia berishiane, do të konfirmojë aftësinë për të ndërmjetësuar mes shqetësimeve të qytetarëve dhe axhendave politike, pikërisht ajo që Habermas e quan “dialogu deliberativ” në shërbim të emancipimit qytetar.

Vetëm Jorida Tabaku dhe Tomor Alizoti kanë potencialin real për t’u çliruar prej modelit të vjetruar dhe për të promovuar një ndryshim radikal të liderëve dhe vizionit të PD-së. Të tjerët, megjithëse te zgjedhur deputetë nga populli, do të mbeten besnikë të palëkundur dhe nënshtruar ndaj një 80-vjeçari të etur për pushtet, i papërgatitur për të sjellë frymën e rinovimit që Habermas e quan thelbësore për funksionimin e një demokracie të vërtetë. Qe ne kete skenar eshte jetike per mbijetesën e PD si parti.