Kush ja ka rrëmbyer skenën si Mbret i Iftarëve Lali Erit?

Muaji i shenjtë i Ramazanit, i cili për besimtarët është një periudhë reflektimi, sakrifice dhe përkushtimi shpirtëror, po kthehet gjithnjë e më shumë në një arenë politike. Politikanët e Partisë Demokratike si Flamur Noka dhe Partisë Socialiste si Elisa Spiropali dhe Ogerta Manastirliu po shfrytëzojnë atmosferën e këtij muaji për të forcuar ndikimin e tyre dhe për të fituar simpatinë elektorale.

Në iftare të organizuara, me fjalime emocionale, politikanët po përpiqen të paraqiten si të afërt me vlerat fetare. Por këtë vit, një figurë kryesore mungon në këtë spektakël: Erion Veliaj. Kryebashkiaku i Tiranës, i cili më parë nuk linte asnjë event fetar pa e kthyer në një shfaqje politike, këtë herë nuk ka mundësi të shpërndajë buzëqeshje fallco dhe mesazhe sensibilizuese, pasi ndodhet pas hekurave si pasojë e hetimeve të SPAK-ut.

Kjo mungesë ka lënë një boshllëk në skenën e zakonshme të politikanëve që përpiqen të përdorin fenë si trampolinë për popularitetin e tyre. Megjithatë, të tjerët nuk kanë humbur kohë për të marrë vëmendjen. Çdo Ramazan sjell të njëjtin skenar: politikanë që nxitojnë të ndajnë foto dhe video nga darkat e iftarit, duke përcjellë mesazhe të mbushura me fjalë të mëdha për bashkimin dhe tolerancën. Por sapo muaji i shenjtë përfundon, edhe “përkushtimi” i tyre ndaj fesë zbehet, duke u rikthyer në retorikën e zakonshme politike.

Ky përdorim i besimit si një mjet politik nuk është i ri, por çdo vit bëhet më i dukshëm. Në vend që të përqendrohen në politika konkrete për të ndihmuar qytetarët, disa figura politike po përdorin Ramazanin si një mundësi për të përfituar pikë nga një komunitet i ndjeshëm dhe i përkushtuar ndaj fesë.

Në një kohë kur qytetarët presin veprime të prekshme dhe angazhime reale, mbetet për t’u parë nëse kjo “devotshmëri e përkohshme” do të vazhdojë të funksionojë si një strategji politike, apo nëse publiku do ta shohë si një manovër të konsumuar. Një gjë është e sigurt: disa politikanë mund të jenë ende duke organizuar iftare, por kryesori, Lali Eri, këtë herë, nuk është në tryezë por në qeli.