Kryeministri Edi Rama ka publikuar në platformën X një shkrim ku ironizon zërat kritikë ndaj draftit të ri të Kodit Penal, duke i quajtur protestat për “mbylljen e gojës” një rreth absurd, pasi zhvillohen në mes të fjalës së lirë.
Në Shqipërinë e paradokseve të pafundme, drafti i ri i Kodit Penal ka ndezur një “alarm kombëtar” – jo për përmbajtjen konkrete, por për frikën se mos vallë po na mbyllet goja… me ligj! Disa forca politike dhe zëra mediatikë, të vetëshpallur si rojet e lirisë, janë ngritur në protestë, duke folur pa pushim kundër një projektligji që – ironi e fatit – është publikuar pikërisht për t’u diskutuar publikisht.
Po si mund të mbyllet goja, kur je duke bërtitur për këtë çdo ditë në ekrane, portale e rrjete sociale?
Në të vërtetë, drafti i prezantuar nga ekspertë të fushës është ftuar në debat publik përmes një procesi transparent dhe demokratik – një luks që në shumë vende as nuk imagjinohet. Por duket se për disa, liria është e rrezikuar vetëm kur s’është monopoli i tyre. Dhe më shqetësuese se çdo rregullim ligjor është fakti se një pjesë e mirë e atyre që bërtasin për mungesën e lirisë, e përdorin lirinë vetëm për të bërë zhurmë për mungesën e saj. Rreth vicioz? Jo, rreth absurd.
Në vend që të kontribuojnë me ide, propozime apo kritika të arsyetuara, disa preferojnë të rrahin kambanat e alarmit për një censurë që nuk ekziston, ndërkohë që janë në mes të fjalës së lirë. Dhe ky është, ndoshta, problemi më i madh i lirisë në Shqipëri: keqpërdorimi i saj nga ata që bëjnë më shumë zhurmë kur nuk u pengon askush të flasin.