FLASH :

“Kurth, jo ndihmë”: Gjashtë palestinezë të vrarë pranë një pike ndihmash në Gaza, Izraeli pretendon kërcënim

Gjashtë palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga të shtënat izraelite pranë një qendre ndihmash në jug të Rripit të Gazës, në një incident që dëshmitarët e përshkruajnë si një “kurth” dhe jo një mision humanitar. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta dhe kritika ndërkombëtare për mënyrën se si po shpërndahen ndihmat në zonat e konfliktit.

Sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile të kontrolluar nga Hamasi, njerëzit ishin mbledhur për të marrë ushqime kur forcat izraelite hapën zjarr. 30-vjeçari Adham Dahman, i shtruar në Spitalin Nasser me plagë në fytyrë, deklaroi për agjencinë AP:
“Ky është një kurth për ne, jo ndihmë. Nuk dinim si të shpëtonim.”

Forcat izraelite, nga ana tjetër, thanë se individët iu afruan “në mënyrë kërcënuese” dhe se u qëlluan me të shtëna paralajmëruese në një “zonë aktive luftimesh”. Ushtria kishte paralajmëruar më herët civilët të mos qëndrojnë në këtë rrethrrotullim, që ndodhet në kufi me një zonë ushtarake izraelite.

Ndërkohë, Fondacioni Humanitar i Gazës, i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, që menaxhon pikën e ndihmave, ka pezulluar operacionet për shkak të mbipopullimit dhe pasigurisë në terren.

Por për mijëra banorë që përpiqen çdo ditë të kapin racionet jetike, kjo pikë ndihme mbetet e vetmja shpresë — edhe nëse, siç thonë ata, për çdo hap përpara, i pret tytat e tankeve.