Në Shqipërinë e zakonit të pazakontë, ku fushata fillon kur të teket dhe shteti është gjithmonë në shërbim të partisë, duket se kryeministri Edi Rama ka shpikur një mënyrë të re për të promovuar veten: me fytyra të huaja, të shtrenjta dhe shumë europiane.
Kaja Kallas, një nga figurat më të larta të Bashkimit Europian, erdhi në Tiranë. Jo për plazh, por për takime zyrtare. Rastësi? Mbase. Por më shumë tingëllon si një rastësi e mirëorkestruar, një shfaqje e radhës me regji nga zyrat e pushtetit.
Një tjetër i ftuar special: Emmanuel Macron. Po, po, presidenti i Francës që nuk gjen kohë për krizën në fshatrat e tij, por gjen kohë për të shkelur në Tiranë. Edhe këtu, në një moment kur zgjedhjet janë më afër se çdo marrëveshje që Shqipëria ka me BE-në.
Pyetja që lind natyrshëm është: pse tani? Ku ishin këta personalitete madhështore ndërkombëtare një vit më parë? Apo ndoshta atëherë nuk kishte nevojë për kartolina diplomatike që të dërgohen në çdo cep të vendit me nëntekstin: “Shikoni sa më duan mua jashtë!”
Sepse realisht, nuk ka asnjë shpjegim bindës pse vizitat e tilla koincidojnë magjishëm me fushatën. Përveç faktit se ato i shërbejnë kryeministrit në një mënyrë që opozita thjesht nuk mundet: me pushtet absolut dhe me portofolin e taksapaguesve shqiptarë.
Kjo nuk është diplomaci. Është marketing. Dhe jo marketing për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, por marketing për Edi Ramën në fletën e votimit. Kur Kallas jep konferencë me Ramën, është mesazh për votuesin shqiptar, jo për Brukselin. Kur një lider europian përqafon Shqipërinë, është gjithnjë në krah të një selfie-je me Ramën.
Ndërkohë opozita mund të shpresojë të ftojë ndonjë ish-deputet të huaj që ndoshta ndodhet me pushime në Sarandë. Sepse ajo nuk ka në dorë as protokollin, as fondet publike dhe as kapacitetin për ta kthyer qeverinë në një zyrë fushate 24/7.
Pra, le ta themi hapur: po, Rama po përdor pushtetin për fushatë. Po, po përdor paratë tona për të importuar mbështetje nga Brukseli. Dhe po, kjo është një mënyrë shumë e sofistikuar për të bërë atë që dikur bëhej me thesin e miellit – vetëm se sot mielli ka emër: Kallas, Macron, dhe ndonjë tjetër që do të vijë sa më të afrohen zgjedhjet.
Në fund, fushata në Shqipëri nuk bëhet më vetëm me bilbila, pankarta dhe koncerte. Tani bëhet edhe me avionë diplomatikë dhe buzëqeshje europiane. Dhe si gjithmonë, fatura mbetet për ne.







