Nga Maksi Çami*
Më 9 gusht 2025, Shqipëria u zgjua me një pamje që nuk duhet të shohë asnjë demokraci: Policia zaptoi godinën e televizionit News24. Që në orën 07:36, sinjali i News24 u ndërpre. Mesazhi ishte i qartë, kur qeveria do që të heshtësh, di si të ta fikë mikrofonin. Shteti dhe mediat e pushtetit përpiqen ta paraqesin këtë si një thjesht një mosmarrëveshje për pronën. Flasin për kontrata të skaduara qiraje, vendime gjyqësore dhe “zbatim të ligjit.” Por, le të jemi të sinqertë në një vend ku vendimet gjyqësore mund të vonohen për vite të tëra pa u zbatuar, momenti, shkalla dhe metoda e këtij operacioni flasin qartë për qëllime politike. Dërgon një ushtri policore që rrethon një godinë, pengon gazetarët të hyjnë në punë dhe ndërpret menjëherë transmetimin e një televizioni. Qëllimi duket qartë, të bësh një shembull dhe të dërgosh një mesazh.
News24 nuk është një magazinë, një fabrikë, apo një truall i boshatisur. Ajo është një laborator lajmesh. Çdo tavolinë atje mbart shënimet e gazetarëve, skenarin e producerëve, orarin e ekipeve të kamerave. Ato mure mbajnë punën e përditshme të gazetarisë, mbledhjen e fakteve, pyetjet ndaj pushtetit, raportimin e të vërtetave të pakëndshme. Mbyllja e një vendi të tillë, edhe nëse përkohësisht, nuk është thjesht një problem pronësie. Është një ndërprerje e të drejtës së publikut për t’u informuar.
Të drejtat ndërkombëtare janë të qarta. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka shpallur vazhdimisht se liria e shprehjes përfshin jo vetëm të drejtën për të folur, por edhe të drejtën për të marrë informacion pa ndërhyrje nga shteti. Kjo është arsyeja pse demokracitë, edhe kur janë në mosmarrëveshje ligjore me media, i zgjidhin ato në mënyrë që të ruhet vazhdimi i transmetimit dhe publikimit. Në rastin e Shqipërisë, ky parim u shkel hapur.
Nëse një qeveri mund të hyjë në një media private, duke e mbyllur atë me justifikimin e një “skadimi të kontratës” dhe duke ndërprerë transmetimin, atëherë asnjë kanal nuk është i sigurt. Sot është News24, nesër mund të jetë çdo media që nuk është në linjë me politikat e pushtetit. Kjo është mënyra se si lind autocensura jo përmes ligjeve të drejtpërdrejta të censurës, por nga frika se, nëse zemëron politikanin e gabuar, shteti mund të gjejë një justifikim për të të shkëputur nga kjo dynja.
Çdo gazetar në Shqipëri, qoftë dhe ai që punon për një kanal rival, duhet të kuptojë se kjo nuk është vetëm lufta e News24. Kjo është lufta e gjithë profesionit. Heshtja e një redaksie do të dobësojë të gjithë median. Po ashtu, qytetarët duhet të kuptojnë se kjo nuk ka të bëjë vetëm me faktin nëse jeni dakord apo jo me linjën editoriale të News24. Ka të bëjë me faktin nëse pajtoheni që, në një demokraci, mediat duhet të jenë të lira nga intimidimi dhe mbyllja arbitrare. Nëse qeveria shqiptare dëshiron të mbajë vërtet premtimin integrues e të vlerave europiane sikurse insiston ta bëjë në çdo takim për anëtarësimin në BE, ajo duhet të tregojë se kupton rolin e medias së lirë në një shoqëri demokratike. Së paku duke rivendosur menjëherë mundësinë për transmetim dhe hyrje në godinën e News24, derisa mosmarrëveshjet ligjore të zgjidhen në procesin e duhur, dhe jo përmes aksioneve policore.
Veprimet e 9 gushtit nuk ishin vetëm të ashpra, ishin një turp për një shtet që aspiron të jetë pjesë e familjes evropiane të demokracive. Ato do të mbahen mend jo si një zbatim të ligjit, por si një njollë politike. Për gazetarët e News24 them këtë: keni çdo arsye të ndiheni të tronditur, por nuk jeni vetëm. Shumë nga ne, gazetarë, akademikë, aktivistë të shoqërisë civile, dhe qytetarë të thjeshtë jemi me ju. Puna juaj ka rëndësi sepse ajo nuk i shërben thjesht një publiku, por themelit të jetës demokratike. Mbyllja e një medie nuk do ta heshte dot të vërtetën. Ajo vetëm do ta bëjë atë më të fortë, duke u mbajtur nga ata që refuzojnë të jetojnë në një vend ku lajmet e mund të fikën me pultin e një njeriu shtet.
*Pikëpamjet e z. Maksi nuk përfaqësojnë ato të Redaksisë së Lajme Troç