Në vitin 2008, kur ishte Kryeministër, Sali Berisha u përfshi në një debat të ashpër me deputetin e asokohe, socialistin Taulant Balla për çështjen e kazinove. Do të ishte zanafilla e përplasjeve të tyre personale, që përfshinë fjalor të rëndë, familjarë dhe padi ligjore.
Por le të mbetemi te kazinotë. Edhe kryeministër, Berisha u mundua t’i shmangej argumentit, duke treguar se Balla e kishte zënë mat.
Sot që është në opozitë, situata nuk ka ndryshuar shumë.
Berisha flet dhe sulmon këdo, por ku vjen puna për kazinotë e kyç gojën.
Ja pjesë nga debati i tyre në 2008:
Balla: Përdorni kapacitetin tuaj si Kryeministër i vendit për të urdhëruar njësitë e Policisë Tatimore që të verifikojnë këto qindra kazino, sepse po ju them që çdo muaj shteti shqiptar humb për shkak të mungesës së kontrollit dhe evazionit të këtyre njësive të palicencuara 1 miliard lekë. Për banorët e zonës sime këto 1 miliard lekë janë dhjetë ujësjellësa.
Berisha: E para është se të gjitha njësitë paguajnë taksa. E dyta, “Regency Casino” ka të drejtë, sepse kanë tejkaluar lejen për të cilën janë autorizuar. Ai nuk ka hallin e taksave, por të rulotit. Se është pronar te ruloti. Ta dish mirë se unë ta bëj fytyrën si këpuca po të të lakoj emrat e familjarëve të tu. Dhe dije mirë se unë kam një durim. Por të jesh i bindur se mund të ta mbyll gojën në mënyrën më ekzemplare. Ky vend ka një Kushtetutë. Në Parlament nuk mund të shpifet. S’të thotë njeri ty këtu se në iks bordello janë kapur njerëzit e tu. As lidhjet e tua me kuplaratë nuk t’i thonë.