FLASH :

Kupton në çfarë derexheje është PD, kur Gjini i Plepave dhe Prokurori i “Rumit” janë më të votuarit

Që drejtësia shqiptare ka vijuar të qëndrojë në status quonë e ditëve të saj të errëta pa shkëputje qysh prej komunizmit kjo është e ditur botërisht.

U ndryshuan figurat dhe ligjet, por jo zelli për t’i shërbyer pushtetit në të dyja regjimet, atë diktatorial dhe ato autoritare të tranzicionit.

Vetëm se në tranzicion, gjyqtarë e prokurorë i shërbyen edhe krimit e bandave.

Ndër ta ishte edhe prokurori i Durrësit Arjan Ndoja, në makinën e të cilit ndodhej një ndër kriminelët më të kërkuar në vend, “Rrumi” i Shijakut, të cilit iu bë një atentat, kur të dy ishin në makinën e prokurorit dhe fatkeqësisht ndërroi jetë shoferi i ish-njeriut të drejtësisë, Andi Maloku.

Ky prokuror, pasi u përjashtua nga Vettingu nga sistemi i drejtësisë, vendosi të garonte në Durrës si deputet në listën e hapur të PD, duke treguar përkatësinë e tij politike.

Vetëm se demokratët e kanë votuar atë si kandidatin më të pëlqyer në Durrës.

Pra kanë votuar prokurorin që u kap në makinë me kriminelin dhe që për faj të lidhjeve që ai kishte me krimin, u vra një i pafajshëm, shoferi i tij.

Për sa kohë demokratët berishianë votojnë me idiolatri për krimin, ata do ta kenë të vështirë dhe do të vonojnë shumë për të kapur trenin e ndryshimit që të çon në Evropë.

E njëjta gjë ndodhi edhe në Qarkun Lezhë me Gjin Gjonin. Ish-gjykatësi i Shkollës së Plepave, një shkollë 6 mujore që  Berisha shpiku për të formuar gjyqtarë që s’kishin lidhje me komunizmin, ishte më i votuari nga demokratët në Qarkun Lezhë.

Edhe ai është një njeri i drejtësisë, i cili ia mbathi kësaj të fundit kur po i afrohej koha e vetingut, duke u fshehur pas lejes së lindjes për babain.

Gjoni njihej si një ushtar i devotshëm i Berishës, dhe fakti që kandidoi për PD, rrëzoi çdo mëdyshje që mund të ekzistonte për lidhjet ndërmjet politikës dhe drejtësisë në të shkuarën.

Tashmë këta prokurorë e gjykatës po mundohen që të krijojnë imunitet me mandatet parlamentare, por ata nuk mund të mbrohen dot nga imuniteti nëse ndaj tyre ka një hetim dhe procedim penal për vepra të rënda si “korrupsion”. “fshehje pasurie”, apo “favorizim i krimit të organizuar”.