Tensionet në Lindjen e Mesme kanë hyrë në një fazë të rrezikshme përshkallëzimi, pasi Irani ka lëshuar një breshëri raketash drejt territorit izraelit, duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe godina civile.
Zëdhënësi i shërbimeve emergjente izraelite konfirmoi se raketat dhe copëzat e tyre goditën të paktën 10 zona të ndryshme, përfshirë Karmelin, Haifën, rajonin e Tel Avivit dhe bregdetin verior. Pamjet nga vendngjarjet tregojnë ndërtesa të shkatërruara, zjarrfikës që punojnë për të shuar flakët dhe ambulanca që transportojnë të plagosur.
Ky sulm masiv vjen si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj bombardimeve amerikane të kryera pak orë më parë, ku avionët strategjikë B-2 hodhën bomba bunker-buster në tre nga objektet më të rëndësishme bërthamore të Iranit. Sipas Uashingtonit, objektivi ishte “neutralizimi i kapaciteteve bërthamore të regjimit iranian” dhe “parandalimi i një kërcënimi global”.
Situata mbetet tepër e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar i frikësohet një konflikti të gjerë rajonal. Presidenti Trump ka paralajmëruar se “çdo reagim i mëtejshëm iranian do të marrë një përgjigje të ashpër dhe vendimtare”.







