Goditja e Erion Veliajt nga burgu, duke i dërguar emisionin “Piranjat” për abuzimet e Anuela Ristanit me makinën e Bashkisë, ka prodhuar një hakmarrje të heshtur por të koordinuar nga ana e kësaj të fundit: kontrolli total mbi bizneset pranë Arenës Kombëtare.
Në dukje, bëhet fjalë për një aksion institucional. Me vendim të datës 30 maj 2025, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) urdhëroi largimin e të gjitha strukturave të jashtme të lokaleve dhe restoranteve përreth Arenës së Futbollit në Tiranë, duke i cilësuar ato si të paligjshme. Vendimi është i prerë: këto struktura nuk lejohen të rikthehen më.
Në sfond, ky vendim duket se fsheh një plan të qartë: konsolidimin e kontrollit mbi këto hapësira nga vetë Anuela Ristani, kryetarja e komanduar nga Edi Rama për të zëvendësuar Veliajn pas arrestimit të tij për korrupsion dhe mosdeklarim pasurie.
Burime të brendshme bëjnë me dije se Ristani ka marrë kontrollin personal të lokaleve të Arenës, duke i “ruajtur” si një pasuri të ngrirë, për t’ia kaluar nesër Edi Ramës dhe rrethit të tij të biznesit.
Veliaj godet nga burgu, Ristani reagon me hakmarrje
Episodi nisi me emisionin investigativ “Piranjat”, nga fakti se Anuela Ristani përdorte makinën zyrtare të Bashkisë për të çuar burrin dhe fëmijët në punë e shkollë, si dhe për aktivitetet e saj personale si palestra. Denoncimi, që tronditi opinionin publik, besohet gjerësisht se është orkestruar nga vetë Erion Veliaj nga burgu i Durrësit.
Ky sulm publik ka shkaktuar tensione të brendshme në kampin rilindas, ku “lufta e trashëgimtarëve” është ndezur për kontrollin e pasurisë dhe pushtetit në kryeqytet. Përgjigja e Ristanit? Goditje ekonomike ndaj bizneseve që konsiderohen të lidhura me rrethin e Veliajt dhe zhveshja e tyre nga hapësirat publike që më pas mund të rikualifikohen dhe t’u kalojnë njerëzve të afërt me Ramën.
Aksioni “ligjor” që fsheh interesa private
Dokumenti zyrtar i IMT-së, me numër protokolli 605 dhe datë 29.05.2025, tregon qartë se aksioni ka qenë i koordinuar me të gjitha institucionet: policia bashkiake, energjia elektrike, zjarrfikësja, madje edhe Ujësjellësi. Në pamje të parë – një operacion i rregullt për zbatim të ligjit. Por e vërteta qëndron në motivimin politik dhe ekonomik pas tij.
Loja e vjetër rilindase: Hiqi nga njëra dorë, jepi nga tjetra
Ristani, e komanduar nga Rama për të mbajtur Tiranën “nën kontroll”, po përdor të njëjtat metoda që për vite me radhë ka aplikuar vetë Erion Veliaj: konfiskim i përkohshëm i hapësirave publike në emër të ligjit dhe dhurim i mëvonshëm për miqtë e partisë.
E njëjta skemë që kemi parë me sheshet publike, me trotuaret që u kthyen në terasa, me kopshtet që u betonuan për kulla, po aplikohet tani edhe te “Arena Kombëtare” – në një prej zonave më luksoze dhe me potencial ekonomik të Tiranës.
