Policia e Kavajës ka goditur një tjetër rast të kultivimit të kanabisit në zonat rurale. Dy persona janë arrestuar në flagrancë në fshatin Lekaj, ku u zbuluan 8 miniparcela me gjithsej 1200 bimë kanabisi, të mbjella në kodra pranë depos së ujit të fshatit.
Të ndaluarit janë Durim Mema dhe Armend Hoxha, të cilët akuzohen për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi gjithashtu:
- 20 mijë euro cash
- 1000 fara cannabisi
- 1 armë sportive, municion dhe sende të tjera të kundërligjshme
Operacioni është pjesë e aksioneve të Policisë së Shtetit kundër kultivimit të paligjshëm të bimëve narkotike, në kuadër të sezonit të verës kur rritet rreziku i kultivimit në zona të thella dhe me akses të kufizuar.
Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse pas kësaj veprimtarie qëndron një rrjet më i gjerë bashkëpunues.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, pas një hetimi njëmujor, me metoda proaktive, në kuadër të operacionit policor të koduar “Lekaj”, u kapën në flagrancë 2 shtetas, të cilët kishin kultivuar 1200 bimë narkotike në 8 miniparcela në kodrat e fshatit Lekaj (pranë depos së ujit të këtij fshati).
Konkretisht, u vunë në pranga shtetasit D. M., 59 vjeç, banues në fshatin Lekaj dhe A. H., 36 vjeç, banues në fshatin Donofrosë, Berat. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. K. dhe E. K., për të cilët, për shkak të hetimit, nuk jepen të dhëna të tjera.
Në kuadër të këtij operacionit u kryen kontrolle në disa banesa dhe ambiente, prej të cilave u sekuestruan 20000 euro, 1000 fara Cannabisi, 1 armë sportive, municion dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Gjithashtu, u sekuestrua me cilësinë e provës materiale një pjesë e bimëve narkotike, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies.
Po punohet me intensitet të lartë, për të kapur shtetasit e shpallur në kërkim, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.







