FLASH :

Kullat e qendrës shkaktojnë rënie pikiatë të çmimit të apartamenteve në Tiranë, blerësit të orientuar në periferi dhe bregdet

Duket se ka një përpjekje manipuluese nga ana e disa ndërtuesve për të fryrë në mënyrë të rreme çmimet e apartamenteve në Tiranë, sidomos në kullat shumëkatëshe në qendër të kryeqytetit.

Duke paguar para marketingu në media, ata i kanë detyruar mjetet e përhapjes së informacionit, që të krijojnë perceptimin e rremë sikur në qendër të Tiranës çmimet për metër katror për apartamentet në ndërtim do të shkojnë deri në 10 mijë euro metri katror në dy vitet e ardhshme.

Në fakt këtu e ka zanafillën dhe halli i vërtetë që këta ndërtues kanë. Përse duan medoemos t’i mëshojnë propagandës se do të ketë një boom çmimesh?

Kjo vjen sepse realiteti është shumë më trishtues se sa kaq.

Me para të pista të korrupsionit politik dhe trafiqeve të drogës, në qendër të Tiranës janë ngritur kulla që shkojnë deri në 30 apo 40 kate. Por pas këtij investimi pa plan, por vetëm në ankthin e pastrimit të shpejtë të parave, politikanët e korruptuar dhe trafikantët e drogës, kanë parë që miliona apo miliarda euro të tyre në murosen në një beton i cili po kthehet në një stok të frikshëm apartamentesh të pashitura në qendër të Tiranës.

Kjo politikë idioteske dhe kuturu ndërtimesh, e promovuar nga qeveria Rama, i bën një favor tregut në vetvete. Në fakt, duke qenë se oferta për apartamente është shumë më e lartë se sa kërkesa e vobektë në kryeqytet për të blerë nga ana e njerëzve “normalë”, vetvetiu çmimi bie, sipas rregullave të arta që na mëson ekonomia e tregut. Por nuk bie në qendër, aty ku mafia e betonit, me inat dhe kokëfortësi i mban artificialisht super të larta çmimet, por bie në periferi të Tiranës apo dhe jashtë vijës së verdhë të qytetit, ku ndërtimet e reja dhe me çmime të arsyeshme po i orientojnë gjithnjë e më shumë familjet e reja që të investojnë.

Në fakt, një çift i ri, që synon të gjejë parqe, hapësira të gjelbërta dhe kënde lojërash për fëmijët, po e gjen këtë në komplekset e reja që po ndërtohen që nga Paskuqani, Yrsheku, Laknasi, zona pranë Rinasit dhe më gjerë dhe janë të gatshëm me kënaqësi të sakrifikojnë për distancën deri në qendrën toksike të qytetit, ku të merret fryma nga koefiçenti i ndërtimit dhe ku mund të rrezikosh dhe jetën duke u grindur për një vend parkimi.

Këto ndërtime nisin nga 700 deri në 1200 euro dhe janë më të pranueshme dhe përballueshme se sa çmenduria e mijëra eurove për metër që sponsorizon mafia e betonit.

Gjithashtu, blerësit apo investitorët e zgjuar, po preferojnë gjithnjë e më shumë bregdetin, që nga Shëngjini, deri në Ksamil, duke kaluar nga Tala, Golemi dhe Semani, ku vlera për blerjen e një apartamenti, edhe pse në dukje mund të jetë e lartë, ka gjithsesi një potencial të madh eksponencial rritjeje të çmimit në 2-3 vitet e ardhshme, duke garantuar një kthim të shpejtë të investimit si dhe një fitim të qenësishëm të garantuar.