Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon një ngjarje të mundshme kriminale në fshatin Kosharisht të Kukësit.
Një person përfundoi i plagosur me sende të forta, kurse autorët e dyshuar janë babë e bir, 53 dhe 18 vjeç, që u arrestuan menjëherë nga uniformat blu. Konflikti ka ndodhur për motive të dobëta dhe ngjarja është nën hetim aktiv për të zbardhur dinamikën.
“Pas njoftimit se në fshatin Kosharisht disa shtetas po konfliktoheshin me njëri-tjetrin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje. Nga ndërhyrja e shpejtë dhe profesionale e shërbimeve të Policisë, u bë i mundur parandalimi i një ngjarjeje të mundshme kriminale, si dhe arrestimi i shtetasve të përfshirë në konflikt, konkretisht: M. M., 53 vjeç, dhe B. M., 18 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Kosharisht”, tha policia vendore.
Të dyshuarit, mësohet se pas një konflikti për motive të dobëta me të afërmin e tyre, O. K., 50 vjeç, banues në Tiranë, në hyrje të fshatit e kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime.
I plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Kurse dosja për ngjarjen i kaloi Prokurorisë së Kukësit për veprime të mëtejshme.