FLASH :

KUJDES PAMJE TË RËNDA/Momenti i rëndë kur 18-vjeçari me nofkën “Rambo” godet me hanxhar viktimën në fytyrë

Një ngjarje e tmerrshme është regjistruar në Barry të Uellsit, ku një 18-vjeçar me nofkën “Rambo” ka goditur me hanxhar një të ri tjetër, duke i prerë fytyrën dhe duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Daniel Harris është dënuar me gjashtë vite burg në një institucion për të rinjtë, pasi u shpall fajtor për plagosje të paligjshme me qëllim dëmtimi të rëndë.

Ngjarja ndodhi në rrugë të hapur dhe u kap nga kamerat e sigurisë. Në video shihet Harris teksa nxjerr një hanxhar 45 centimetra nga pantallonat dhe e drejton me egërsi drejt fytyrës së viktimës. I riu i sulmuar kishte hyrë në konflikt me Harris duke e ngatërruar me një përdorues rrjetesh sociale që kishte ofenduar motrën e tij. Viktima përpiqet të shmangë goditjen dhe të largohet, por kapet dhe plagoset rëndë.

Ai ka marrë një prerje të thellë në fytyrë dhe një dëmtim serioz të tendinës së Akilit, që kërkoi katër ndërhyrje kirurgjikale dhe e la me pasoja në ecje. Gjithashtu, mori edhe një plagë në shpatull dhe pati nevojë për 20 qepje. “Çdo herë që shikoj veten në pasqyrë, më kujtohet ajo ditë,” tha viktima në deklaratën e tij emocionale në gjykatë.

Policia e Uellsit e Jugut dënoi ashpër ngjarjen, duke theksuar se mbajtja e armëve të ftohta nuk do të tolerohet. “Ky dënim duhet t’i shërbejë Harris – të njohur si ‘Rambo’ – për të reflektuar mbi zgjedhjet e tij të rrezikshme,” u shpreh inspektori Phillip Marchant.