Pamje tronditëse janë publikuar nga një sulm i dhunshëm ndaj një turisti britanik 18-vjeçar në qytetin turistik të Albufeira në Portugali, ku një grup adoleshentësh e godasin atë me shkelma në kokë pasi e kanë rrëzuar pa ndjenja në tokë. Videot, të cilat u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, janë filmuar vetë nga autorët e ngjarjes.
Incidenti ndodhi në orët e para të 17 korrikut dhe viktimës iu vodh edhe telefoni me vlerë rreth 600 euro. Falë kamerave të sigurisë në zonë, policia arriti të identifikojë dhe të arrestojë pesë autorët, të gjithë 17-vjeçarë me shtetësi portugeze, të cilët janë banorë të qytetit të afërt Loulé dhe frekuentonin shpesh zonën e natës në Albufeira.
Sipas autoriteteve, grupi vepronte duke përzgjedhur viktimat rastësore nëpër rrugët publike, të cilët i sulmonin me dhunë për t’i grabitur. Komandanti i policisë lokale, Pedro Pereira, tha se vetëm një nga të arrestuarit kishte precedentë penalë, ndërsa asnjëri nuk dyshohet se është pjesë e një bande të organizuar. Viktima është trajtuar në spital dhe është kthyer në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa autorët mbeten në paraburgim në pritje të dënimit.


