FLASH :

Kujdes! Ja për çfarë nuk duhet të përdorësh ChatGPT – Edhe teknologjia ka kufijtë e saj

ChatGPT është një nga mjetet më të përdorura të inteligjencës artificiale sot – dhe me të drejtë. Shpejtësi, saktësi në shumë raste dhe ndihmë e menjëhershme në fushat ku na duhet më së shumti. Por sa herë kemi harruar se nuk është gjithçka? Sa herë ia kemi besuar pyetje që kërkojnë ndjeshmëri, përvojë njerëzore apo vendime jetike? Ja disa raste kur ChatGPT nuk duhet të jetë zgjidhja jote e parë – madje as e dytë.

1. Për diagnostikim mjekësor

S’është mjek dhe s’do të jetë ndonjëherë. Nëse ke një simptomë, ChatGPT mund të japë një listë me mundësi, por jo një diagnozë të saktë – madje mund të të trembë më shumë seç duhet. Një puçërr mund të interpretohet si kancer, e frikshme apo jo?

Përdore për: përkthimin e termave mjekësorë, përgatitjen e pyetjeve për mjekun.
Mos e përdor për: vetë-diagnostikim apo vendime për trajtim.

2. Për shëndetin mendor

ChatGPT mund të japë këshilla të përgjithshme për qetësim, por nuk ka ndjeshmëri, përvojë jetësore apo detyrime etike për të mbrojtur. Në situata krize, të duhet një profesionist, jo një algoritëm.

Mos ngurro të kërkosh ndihmë profesionale.

3. Për vendime të menjëhershme në situata emergjente

Në tërmet? Zjarr? Aksident? ChatGPT nuk i ndjen, nuk reagon në kohë reale, nuk thërret ndihmë. Shpëtimi është në reagimin tënd dhe të njerëzve pranë teje.

4. Për planifikim financiar personal apo biznesi

Nuk njeh llogaritë, rreziqet apo detyrimet e tua specifike. Për këshilla që ndikojnë në financat e tua afatgjata, fol me një ekspert.

5. Për të dhëna konfidenciale

Mos ndash me të të dhëna personale, numra kartash, kontrata ligjore apo dokumente mjekësore. Edhe pse ruhet privatësia, gjithmonë ka rrezik. AI s’është vendi për sekrete.

6. Për të bërë diçka të paligjshme

Edhe nëse e kërkon – nuk do të ndihmojë. Dhe kjo është gjëja më e mirë që mund të bëjë.

7. Për informacion të ri dhe lajme të përditësuara

ChatGPT nuk ofron përditësime të menjëhershme. Lajmet, njoftimet zyrtare apo burimet e drejtpërdrejta janë gjithmonë më të sigurta dhe të shpejta.

8. Për baste apo parashikime sportive

AI nuk parashikon të ardhmen. Të dhënat mund të jenë të pasakta, prandaj mos ia besoni biletën tuaj të bastit – do t’ju zhgënjejë.

9. Për të shkruar testamente apo kontrata ligjore

Nuk njeh të gjitha nuancat ligjore që ndryshojnë nga një shtet në tjetrin. Një fjalë e munguar mund ta bëjë dokumentin të pavlefshëm. Kërko gjithmonë ndihmën e një juristi.

10. Për të krijuar art

AI nuk e zëvendëson dot kreativitetin, ndjeshmërinë dhe përvojën njerëzore që burojnë nga arti. Përdore si mjet ndihmës, por jo si zëvendësim të shprehjes së brendshme.