Edhe komuniteti rom i strehuar në kontenierë nga Bashkia Shkodër në lagjen “Skënderbeg” është bërë viktimë e sistemit që nuk funksionon. Prej ditësh, 27 familje rome po përballen me mungesë të ujit të pijshëm, në kushte tashmë tejet të vështira jetese. Dhe në vend që të gjejë një zgjidhje, bashkia e përfaqësuar nga zyrtarja e Shërbimit Social, Fatmira Kraja ia hedh fajin vetë banorëve, duke i akuzuar se kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në depozitat e ujit të vendosura pranë kontenierëve.
Realiteti është se këto familje, të margjinalizuara dhe të lëna në mëshirë të fatit, nuk kanë akses të qëndrueshëm në ujë, higjienë apo kushte bazë jetese. Për më tepër, disa ditë më parë, tre kontenierë u përfshinë nga flakët, por sipas bashkisë, pati vetëm dëme materiale. Sipas Krajës, familjet janë sistemuar përsëri dhe institucionet “po punojnë për t’i ndihmuar”. Por komuniteti thotë ndryshe: ndihma është e vonuar, mungesa e transparencës është kronike dhe faji gjithnjë bie mbi më të dobëtit. Ndërsa “qyteti digjital” që shpenzon miliona për aplikacione që nuk punojnë, nuk është në gjendje të ofrojë as një pikë ujë për njerëzit që jetojnë në skaj të mbijetesës.







