FLASH :

Kryente evazion fiskal, bllokohet spitali privat, Policia: Nuk deklaroi 1 milionë euro fitime

Një spital privat në Tiranë është bllokuar, pasi dyshohet se nuk ka deklaruar në shtet rreth 1 milion euro fitime. Policia thotë se subjekti ka lëshuar fatura të pafiskalizuara dhe kishte punonjës të padeklaruar. Burime bëjnë me dije se spitali privat përdorte medikamente të falsifikuara, të cilat nuk lejoheshin për t’u përdorur.

Spitali është bllokuar pas një operacioni të seksionit për hetimin e krimit financiar. Nga hetimet ka rezultuar se subjekti në fjalë nuk ka deklaruar në shtetin shqiptar rreth 1 milion euro fitime. Policia thotë se janë lëshuar fatura të pafiskalizuara në këtë vlerë, ndërkohë që kishte punonjës të padeklaruar dhe mbante medikamente të falsifikuara që nuk lejoheshin për përdorim. Në pranga është vënë administratori i spitalit, ndërsa në kërkim janë shpallur dy shtetas të tjerë.

Spitali privat është bllokuar pas një hetimi nga sektori i krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Policia thotë se ky subjekt nuk ka deklaruar 1 milion euro fitime për vitet 2024–2025, si dhe ka përdorur produkte të ndaluara.

Operacioni është iniciuar pas informacioneve të marra në rrugë operative në lidhje me aktivitetin e këtij spitali. Është bërë e mundur arrestimi i administratorit të spitalit, shtetasit Edmond Zaja, dhe janë shpallur në kërkim shtetasi turk Bilal Karan dhe shtetasja Geriana Arapi.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur medikamente të cilat janë të ndaluara për përdorim nga institucionet përkatëse. Operacioni ka zgjatur disa muaj dhe ka rezultuar se institucioni spitalor në fjalë ka lëshuar fatura të pafiskalizuara me vlerë 1 milion euro, kundrejt klientëve që merrnin shërbime në këtë spital.

I gjithë ky aktivitet i paligjshëm ka ndodhur gjatë viteve 2024 dhe 2025. Për këtë shumë, subjekti në fjalë duhet të kishte paguar detyrimet tatimore pranë organeve kompetente, të cilat i ka shmangur. Gjithashtu, është konstatuar se në spital punonin disa persona të pasiguruar dhe të padeklaruar si punonjës të subjektit.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 100 blloqe me mandate të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të dyshuara të skaduara dhe 6 njësi kompjuterike. Policia thotë se po punon për lokalizimin dhe kapjen e dy personave të tjerë që janë në kërkim, ndërkohë që materialet hetimore i janë kaluar Prokurorisë së Tiranës.